Ne rrjet

“Trump, Thaçi dhe Vuçiç këmbëngulin për shkëmbimin e territoreve!”

Presidenti i SHBA Donald Trump, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiç vazhdojnë të mbështesin tezën e shkëmbimit të territoreve.  Sipas Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit dhe studiues i njohur i politikave ballkanike, SHBA-ja kërkon arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallë misionin të përfunduar dhe të tërheqë trupat nga Kosova.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se administrata Trump dhe presidentët Thaçi dhe Vuçic janë protagonistët kryesorë që mbështesin shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ata dhe administrata Trump janë në favor të shkëmbimit të territoreve. Nëse kjo do të bëhet pjesë e negociatave diplomatike ose jo, mbetet të shihet. Varet nga forma se si zhvillohen këto bisedime. Disa vite janë humbur në dialog. Në dy vjetët e fundit ka pasur bisedime joproduktive për shkëmbimin e territoreve, një tezë do të ishte në kundërshtim me parimet dhe vlerat e Bashkimit Europian dhe shumë destabilizues për Ballkanin. Tani shoh një lloj urgjence në anën e BE-së për t’iu rikthyer parimeve fundamentale që kanë shoqëruar dialogun kur ka filluar, gati dhjetë vjet më parë”, tha ai.

Toby Vogel

Vogel shprehet se presioni nga Administrata Trump është i madh, sepse si Grenell ashtu edhe vetë presidenti kërkojnë një fitore në politikën e jashtme, edhe për shkak të fushatës presidenciale.

“Urgjenca vjen nga pala amerikane. Amerikanët duan marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të tërheqin trupat nga Kosova. Kjo do të ishte një fitore në politikën e jashtme për presidentin Trump. Do të ishte justifikim personal për Richard Grenellin, të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, i cili duket se është përfshirë tani në fushatën për rizgjedhjen e Trumpit. Kjo është ajo që vërtet qëndron pas ndjenjës së urgjencës”, thotë Vogël.

Sipas ekspertit, lufta e vërtetë brenda Kosovës është se kush do ta përfaqësojë Prishtinën në dialog: presidenti sikurse deri më tash, apo kryeministri. “Mendoj se gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar tani është se shtytja e presidentit të Kosovës, Hashim] Thaçi, për shkëmbim territoresh me Serbinë nuk është duke çuar vërtet askund. Të vetmit njerëz që mendojnë se kjo është një ide e mirë janë amerikanët dhe, deri së voni, edhe europianët”, thotë Vogel. “Por, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur qartë, duke thënë se kjo do të ishte një ide e keqe. Mendoj se presidenti Thaçi e kupton shumë mirë se ai është i izoluar, brenda vendit të tij, sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve dhe se marrëveshja e tillë nuk do të zbatohej.

Vogel thotë se Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në largim, Albin Kurti, do ta ketë të vështirë të bindë SHBA-në dhe BE-në se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm për të.

“Unë e kuptoj që Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Kurti, nuk e pranojnë këtë vendim, në kuptimin politik. Megjithatë, mendoj se do ta kenë shumë të vështirë për ta bindur Bashkimin Europian dhe sidomos Shtetet e Bashkuara për pikëpamjet e tyre. SHBA-ja, në fakt, ka ndihmuar për ta bindur LDK-në që të largohet nga koalicioni qeverisës me kryeministër Kurtin, për arsyet e veta. Dhe tani, BE-ja dhe SHBA-ja bëjnë thirrje për përmbajtje, për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Vogel. “Me sa e kuptoj unë vendimin, ai thotë se partia më e madhe, partia me numrin më të madh të vendeve në Parlament ka shansin e parë për të formuar qeverinë. Dhe, nëse ajo, për çfarëdo arsyeje, nuk mund të formojë ose nuk mund të mbajë shumicën në parlament, atëherë presidenti mund të caktojë dikë tjetër për të formuar qeverinë. Kështu e kuptoj unë vendimin. Gjithçka tjetër do ta lejonte Vetëvendosjen të mbante peng gjithë procesin, duke mos emëruar një kandidat alternativ për kryeministër. E përsëris, nuk jam ekspert i Kushtetutës, por unë kështu e kuptoj vendimin dhe realitetin ligjor dhe politik pas tij”, përfundon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë