Ne rrjet

Trump përballet me shkarkim…për herë të dytë

Donald Trump po përballet me një përpjekje të dytë për shkarkimin e tij pasi Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve e akuzuan zyrtarisht atë për "nxitjen e kryengritjeve" në Capitol Hill.

Pesë persona vdiqën gjatë protestive të dhunshme javën e kaluar, duke përfshirë një oficer policie, pasi mbështetësit e presidentit mësynë në Kapitol. Ata duket se u nxitën nga Trump i cili u tha mbështetësve të "luftonin si të ishin në ferr" për të ndaluar Joe Biden. Pamjet video kanë zbuluar se turma ishte shumë pranë një konfrontimi potencialisht vdekjeprurës me anëtarët e Kongresit.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët pritet ta marrë në shqyrtim çështjen të mërkurën. Nëse akuza miratohet, kjo do ta bënte zotin Trump të vetmin president në historinë e SHBA ndaj të cilit ndërmerret dy herë një proces shkarkimi.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, shumë prej kolegëve të saj demokratë dhe disa republikanë thonë se presidentit nuk mund t’i besohet më mandati, i cili i përfundon më 20 janar.

"Në mbrojtje të Kushtetutës sonë dhe të demokracisë sonë, ne do të veprojmë me urgjencë, sepse ky President përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për të dyja këto," shkroi zonja Pelosi të dielën në një mesazh drejtuar kolegëve të saj demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Më herët të hënën, republikanët bllokuan një përpjekje për të shqyrtuar një rezolutë që i bënte thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të aktivizonte amendamentin e 25-të të Kushtetutës, e cila parashikon heqjen e një presidenti kur ai është i paaftë për të kryer detyrat.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të martën mbi rezolutën që bën thirrje për përdorimin e Amendamentit të 25-të.

Në një deklaratë me video pas sulmit, zoti Trump pranoi se një administratë e re do të merrte detyrën më 20 janar, por nuk është shfaqur në publik. Twitter dhe Facebook kanë pezulluar llogaritë e tij, duke përmendur rrezikun se ai mund të nxisë dhunë.

Zonja Pelosi kishte thënë se Dhoma e Përfaqësuesve mund të votonte për të ngritur akuzën për rebelim, nëse Nënpresidenti Pence nuk vepron. Ndihmësit e udhëheqësit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, i cili votoi kundër njohjes së fitores së zotit Biden, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë