Ne rrjet

Trump dërgon delegacionin e lartë amerikan në Kosovë

Pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar një delegacion të nivelit të lartë në Kosovë. Ky delegacion i kryesuar nga Adam Boehler, drejtor i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit (DFC) duket se po viziton Prishtinën për të hedhur hapin e parë për implementimin e investimeve të premtuara nga Presidenti Trump për Kosovën.

Pjesë e këtij delegacioni, i cili deri më 25 shtator do të udhëtojë edhe në Beograd, Athinë, dhe Izrael, do të jetë edhe dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell. Mediat në Prishtinë se delegacioni amerikan pritet të diskutojë me udhëheqësit e Kosovës për bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal si dhe në Lindje të Mesme. Deri më tani, është konfirmuar mbajtja e një takimi me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Në një postim në Twitter, Grenell shkruante të dielen mbrëma se "implementimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet i administratës së presidentit Trump".

Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakort që të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, për të ndërtuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë.

Kryesuesi i delegacioni, Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhe letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.

“Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal, duke lidhur Nishin me Prishtinën. Po ashtu, do të shërbejë si simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re dhe transformuese të këtyre dy vendeve fqinje”, kishte thënë Boelher.

Nga Prishtina, delegacioni amerikan pritet të udhëtojë në Beograd, ku DFC do të hapë zyrën e vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë