Futboll

Trukim në futbollin kosovar, nën hetim dy ndeshje ku tolerimi dukej hapur

Gazeta Si – Ndeshje të trukuara në kampionatin kosovar të futbollit dhe një hetim që ka nisur tashmë. Dy nga ndeshjet e javës së 36-të kanë sjellë reagime të forta, ku të gjithë faktorët që kanë të bëjnë me futbollin kanë folur për trukim të pastër të rezultatit.

Konkretisht, ndeshjet në fjalë janë Trepça ’89–Prishtina dhe Ferizaj–Dukagjini. Veçanërisht në këtë të dytën disa eposide ishin vërtet qesharakë, duke lënë të kuptohej qartë tolerimi, apo hapja e portës për të ndihmuar Ferizajn.

Portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, ishte protagonist i një gjesti të turpshëm, që bëri xhiron e rrjeteve sociale. Ai qëllimisht në kohën shtesë lejoi që topi të shkonte në rrjetë për të favorizuar ekipin kundërshtar.

Menjeherë kanë reaguar institucionet shtetërore. Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka bërë të qartë me anë të një statusin në faqen e saj ka një hetim për dy ndeshjet e përmendura më sipër.

“Ndeshjet e futbollit, Prishtina me Trepçën dhe Ferizaji me Dukagjinin, që të dyja, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport. Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit të procedojnë tutje me shumë kujdes dhe me kohë.

Është e dhimbshme kur imazhi i sportit në vend njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme në komunitet. Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment”, - shkruhej në postimin e Osmanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë