Lajme

Ramadan Troci në “sitën” e vetingut, pasuri e dyshimtë

Është zhvilluar sot seanca dëgjimore me prokurorin Ramadan Troci, i cili është pjesë e listës prioritare të vettigut, pasi është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, institucion që pret përfundimin e tre kandidatëve të fundit për t’u ngritur.

Trupa gjykuese në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit përbëhet nga treshja Genta Tafa Bugo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.

Sipas KPK-së, prokurori Troci ka problematika në deklarimin dhe justifikimin e pasurisë.

Një prej këtyre problemeve ka të bëjë me një objekt në Paskuqan.

Relatorja Pamela Qirko tha se ILDKPKI ka sjellë raport që deklarimet e Trocit nuk janë të sakta, ka kryer deklarim të rremë dhe ka fshehur pasurinë. Sipas ILDKPKI, Troci ka fshehur legalizimin e një objekti 32 metra katrorë në Paskuqan.

“KPK kreu hetim të thelluar të pasurisë së prokurorit Troci. Sipas hetimit të KPK, pasuritë që iu nënshtruan hetimit administrativ janë: apartament banimi 108.7 m2 të ndodhur në Kashar. Si burim i blerjes së kësaj pasurie janë deklaruar 2.9 mln lekë kursime nga ai dhe bashkëshortja dhe kredi 2.5 mln lekë. Konstatohet se në mars 2011 ai ka porositur apartament. Në dhjetor 2011 është lidhur kontrata me shoqërinë për 5.4 mln lekë”, ka deklaruar Qirko.

Nga verifikimi i KPK rezulton se shuma totale ka qenë 45 mijë euro, e ndarë në këste. Kësti i parë ishte paguar para lidhjes së kontratës 20 mijë euro. Kësti i dytë është paguar pasi është lidhur kontrata, 20 mijë euro. Dhe i fundit 5 mijë euro është paguar në përfundim të apartamentit, thuhet në raport.

SipasKPK, Troci i ka burimet e ligjshme për kursimet që kanë shërbyer si burim për blerjen e apartamentit. Por ka dyshime për një shumë prej 700 mijë lekësh të gruas së Trocit që është deklaruar në veting si burim për blerjen e apartamentit. Nga verifikimet rezulton se shuma në fjalë është transferuar tek llogaria e nënës së saj dhe nuk ka shkuar për blerjen e apartamentit. Dyshime ka edhe për blerjen e një makine Benz, për shumën 700 mijë lekë gjithashtu.

Prokurori Troci e ka nisur karrierën në institucionin e akuzës në vitin 2000 dhe përgjatë një dekade ka punuar si prokuror në Bulqizë dhe në Dibër. Në vitin 2012, ai u transferua në prokurorinë e Tiranës, në vitin 2014 në prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2016 punon si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai arrestoi Guvernatorin e Bankës së Shqipërise Ardian Fullani dhe Kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. 


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë