Lajme

Tritol pronarit të gurores në Vlorë, rrezikon të humbë gjymtyrët

Vlora është tronditur nga një shpërthim tritoli pasditen e sotme. Një makinë tip ‘Benz’ me targa AA703 është hedhur në erë nga një sasi e konsiderueshme eksplozivi pasditen e sotme, ku ka mbetur i plagosur rëndë pronari i një guroreje në Drashovicë.

Ngjarja ka ndodhur në dalje të rrugës Transballkanike, ndërsa mjeti ka qenë në lëvizje, konkretisht duke dalë nga një lavazh.

Në momentin e shpërthimit në automjet ndodhej drejtuesi, shtetasi Agron Alushaj, 48 vjeç i cili ka mbetur i plagosur rëndë.

Alushaj ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e Vlorës dhe rrezikon të humbasë gjymtyrët nga shpërthimi i fortë. Sipas bluzave të bardha, gjendja shëndetësore e tij është tejet e rëndë.

Në momentin e shpërthimit, Alushaj sapo kishte dalë nga lavazhi në pronësi të karburantit nga ku po largohej automjeti.

Sipas hetimeve paraprake, lënda shpërthyese është vendosur në pjesën e pasme të automjetit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet në lidhje me zbardhjen dhe sqarimin e mëtejshëm të rrethanave.

Pas shpërthimit të tritolit, Vlora nuk gjeti qetësi mbrëmjen e kësaj të premte pasi një tjetër ngjarje u regjistrua në qytetin bregdetar. Në lagjen "Pavarësia" u raportua për të shtëna me armë zjarri, por fatmirësisht pa të lënduar. Mësohet se janë dëgjuar tre të shtëna arme zjarri. Në vendin e ngjarjes policia gjeti gëzhoja, ndërsa vijon puna për identifikimin e autorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë