Kombetarja

Tri versionet e titullarëve kuqezi për krizën, Strakosha më afër të vërtetës

Gazeta Si – Kriza e Kombëtares nuk ka të bëjë vetëm me trajnerin Edi Reja. Largimi i italianit është vetëm çështje kohe dhe nuk është se ka shumë rëndësi, nëse ikën që tani, apo pas dy muajsh, kur i përfundon kontrata.

Kriza është e thellë dhe shqetësuese. E vërteton edhe përplasja mes tifozëve kuqezi dhe futbollistëve pas ndeshjes me Islandën. Një situatë që nuk ka ndodhur më parë dhe që tregon qartë se pakënaqësia është e madhe edhe për atë çfarë po japin në fushë lojtarët aktualë të Kombëtares.

Këta të fundit, pas barazimit me Islandën në ‘Air Albania’, dhanë disa versione për shkaqet e kësaj krize. Versione që kishin justifikimin brenda, por edhe disa mesazhe për atë çfarë ndodh aktualisht te Shqipëria.

Lenjani dhe Cikalleshi ndaj Islandes. Gazeta Si, 28 shtator 2022

Sokol Cikalleshi, kapiten ndaj Islandës, bëri apel për ndryshim të situatës nga ana e drejtuesve, por pa përmendur detaje dhe emra konkretë. Në versionin e tij për krizën kuqezi vëmendjen e mori gatishmëria për tërheqjen nga Kombëtarja, nëse do të ishte për të mirën e skuadrës.

Një version tjetër ishte ai i Amir Abrashit, i cili tha se ndoshta disa lojtarë të rinj nuk e kanë kuptuar se për çafrë luftohet në Kombëtare. Edhe ai nuk përmendi emra. Por ky është një version që anon nga justifikimi, sepse të rinj ndaj Islandës nuk kishte asnjë.

Të rinj në Kombëtare janë Broja që u fut në pjesën e dytë, Asllani që nuk luajti asnjë minutë. Uzuni dhe Bajrami ishin ata me më pak ndeshje ndoshta, por po të jetë për luftë, ata bënë mjaftueshëm në fushë për sa i takon kësaj pjese. Ndoshta është më mirë që Abrashi dhe Cikalleshi të flasin me emra konkretë.

Abrashi ne ndeshjen ndaj Izraelit. Gazeta Si, 28 shtator 2022

Një version i tretë dhe që duket më i besueshëm është ai i Tomas Strakoshës. Portieri pohoi qartë se Shqipëria nuk është grup dhe nuk është vetëm faj trajneri për rezultatet e saj. Nëse një skuadër nuk është grup, nuk mund të ketë sukses asnjëherë, sado individualitete të ketë.

Përveç përgjegjësive të trajnerit, nuk diskutohet që edhe lojtarët kanë mëkatet e tyre. Me Islandën skuadra krijoi shumë raste dhe i shpërdoroi, ndërsa në fund nuk diti të përballonte një situatë delikate të krijuar nga presioni i kundërshtarit.

Ajo që është e qartë në fakt ka të bëjë me mungesën e një lidershipi në Kombëtare. Asnjë nga lojtarët e grupit aktual nuk ka mundur të marrë në dorë situatën dhe të udhëheqë të tjerët. Jo vetëm me personalitetin në fushë, por edhe duke i motivuar, siç kanë bërë më parë kapitenët kuqezi, Lorik Cana, Altin Lala e të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë