Kombetarja

Shqipëria s’di më të fitojë, tifozët kontestojnë lojtarët në fund

Gazeta Si – Kombëtarja kuqezi e ka harruar fitoren në kuptimin e plotë të fjalës. Skuadra e Rejës shpërdoroi sot në ‘Air Albania’ rastin ideal për të bërë të paktën një mbyllje dinjitoze të Ligës së Kombeve. Shqipëria u godit sërish në sekondat e fundit në një ndeshje, që duhej ta fitonte patjetër, por barazoi 1-1.

As ndaj një kundërshtari që luajti me 10 vetë që në fillim të ndeshjes nuk kemi mundur të fitojmë. Goli i Lenjanit në pjesën e parë e çliroi skuadrën, që më pas krijoi raste të shumta para portës islandeze, por pa mundur të shënojë golin e sigurisë.

Lenjani feston golin. Gazeta Si, 27 shtator 2022

Dhe, si zakonisht, është konfirmuar rregulli i pashkruar në futboll: po nuk shënove, do ta pësosh. Në minutën e 7-të shtesë Islanda na hoqi nga duart fitoren para tifozëve kuqezi, të cilët nuk e fshehën zhgënjimin.

Trajneri Reja bëri ndryshimet që kishte paralajmëruar në këtë ndeshje. Ai uli në stol kapitenin Hysaj, Brojën dhe Asllanin, duke aktivizuar Gjasulën mbrojtës qendre, Bajramin në mesfushë dhe Uzunin në sulm bashkë me Cikalleshin.

Myrto Uzuni ishte protagonist në minutat e para, kur pas një ngulmimi të tij mbrojtësi Gunarson u ndëshkua me karton të kuq. Situata kaloi në favor të skuadrës sonë që krijoi disa raste dhe zhbllokoi rezultatin me Lenjanin. Lojtari i kthyer në formacion goditi bukur me kokë, pas një krosi në zonë.

Kuqezinjtë iu afruan golit të dytë disa herë pas fillimit të pjesës së dytë, sidomos me Uzunin. Pas minutës së 60-të Reja nisi me ndërrimet, duke hedhur në fushë të parët Brojën dhe Laçin. Më pas edhe Hysajn dhe në fund Çokajn dhe Mihajn.

Sapo bëri dy ndërrimet e fundit në minutën e 83-të, Shqipëria humbi Ismajlin për dëmtim dhe forcat në fushë u barazuan në 10 me 10. Islandezët morën zemër dhe shtuan sulmet, për të barazuar në minutën e 97-të, pas një topi që kaloi gjithë pasqyrën e zonës sonë.

Mbyllet kështu vetëm me 2 pikë ky edicion i dështuar i Ligës së Kombeve. Kombëtarja ishte larg pritshmërive dhe tani kërkohet një analizë e thellë, ku përgjegjësitë e para me siguri do t’i marrë trajneri.

Momenti kur lojtaret e Kombetares kontestohen nga tifozet kuqezi. Gazeta Si, 27 shtator 2022

Pas përfundimit te ndeshjes, teksa lojtarët po shkonin të përshëndesnin tifozët, ka ndodhur edhe një incident. Tifozët i kanë kontestuar futbollistët e Kombëtares për disa minuta për zhgënjimet e fundit, duke krijuar një situatë aspak të këndshme. Portieri Etrit Berisha u afrua te tifozët për sqarime dhe më pas situata u qetësua disi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë