Lajme

Tri ditë zie në Kosovë për Adem Demaçin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka shpallur tri ditë zie në Kosovë, në nderim të një prej figurave të rëndësishme të historisë së Kosovës që ndërroi jetë, Adem Demaçi.

Gjatë ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, presidenti i Kosovës ka marrë vendim që Adem Demaçi të varroset me ceremonitë më të larta shtetërore dhe ka emëruar Këshillin Organizativ për organizimin e ceremonisë së varrimit.

Sot në orën 12:00, në hollin e Kuvendit të Kosovës do të fillojnë homazhet dhe do të përfundojnë në orën 20:00. Ndërkohë, varrimi i Adem Demaçit do të bëhet ditën e shtunë, më 28 korrik, në “Varrezat e Dëshmorëve” në Prishtinë.

Adem Demaçi, i cilësuar edhe si “Mandela i Kosovës” u shua përgjithmonë në moshën 82-vjeçare. Humbja e tij është një humbje për kulturën dhe politikën shqipe në tërësi. Ai u rrit në rrethana tejet të varfra tipike për shqiptarët e asaj kohe. Me një veprimari të gjerë në Kosovë, ka shërbyer si burim frymëzimi për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, por edhe si simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë.

Pas lajmit të hidhur të gjitha partitë politike të Kosovës kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen e Demaçit si dhe për tërë popullin e Kosovës, pasi ai la pas vetes një bagazh të madh të veprimtarisë së tij për atdhe.

Gjithashtu, për humbjen e Demaçit ka reaguar edhe politika shqiptare. Rama, Basha dhe Berisha shprehin ngushëllimet e tyre për familjen Demaçi , duke nxjerrë në pah vlerat e tij.

Po ashtu është tronditur edhe shkrimtari i madh, Ismail Kadare, ku përmes një telegrafi, e cilëson Demaçin të domosdoshëm si rrallëkush për kombin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë