Lajme

Tregu po rimëkëmbet në Azi, ndonëse koronavirusi përshkallëzohet

Indeksi Nikkei 225 (N225) i Japonisë u rrit me 2.4% të enjten, Indeksi KOSPI (KOSPI) i Koresë së Jugut u rrit me 2.9%, Indeksi Hang Seng i Hong Kongut (HSI) u rrit me 2.6% dhe Shanghai Composite Index (SHCOMP) i Kinës u rrit me 1.7%.

Këto përparime në tregjet e aksioneve të Azisë çuditërisht vijnë teksa shpërthimi i koronavirusit është duke treguar pak shenja të ngadalësimit. Sëmundja ka vrarë më shumë se 560 njerëz në të gjithë botën, kryesisht në Kinë, dhe ka infektuar më shumë se 28,000 njerëz në mbi 25 vende.

Po këto shifra në rritje po i bëjnë disa analistë që ta vënë në dyshim optimizmin e investitorëve.

Lukman Otunuga, një analist i FXTM, tha se kishte disa faktorë që e nxisnin ndryshimin në gjendjen shpirtërore të investitorëve, duke përfshirë pritshmëritë e bankave qëndrore dhe qeverive për të lehtësuar politikat monetare e fiskale në mënyrë që tregjet të kenë një mbështetje.

Banka Popullore e Kinës ka hedhur tashmë miliarda dollarë në sistemin financiar. Gjithashtu banka qëndrore e Tajlandës ishte e para që uli normat e interesit këtë javë në përgjigje të përhapjes së shpejtë të virusit.

Për të parandaluar një përplasje të tregut (market crash), Kina gjithashtu mund të vejë  në lëvizje "ekipet e saj kombëtare" - një pseudonim ky që i është dhënë menaxherëve të investimeve që mund të vendosen për të blerë me shumicë aksione kur është e nevojshme për të mbajtur tregjet e qëndrueshëm.

Ndërsa të enjten Kina njoftoi se do të përgjysmojë tarifat shtesë nga importet e SHBA me vlerë 75 miliardë dollarë. Kjo lëvizje vjen teksa dy ekonomitë më të mëdha në botë vazhdojnë të tërhiqen prapa nga lufta tregtare që për një kohë të gjatë i   dëmtoi të dy vendet dhe goditi rritjen globale.

Reduktimi i tarifave ishte e pritur gjerësisht dhe ishte një përgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara që vendosën të përgjysmonin tarifat në shtator në “fazën një” të marrëveshjes së tregtisë , sipas Tommy Wu, një ekonomist në Oxford Economics. "Ky njoftim mund të shtyjë pozitivisht tregun, e veçanërisht në një kohë kur Kina po lufton me ndikimin negativ ekonomik të ardhur nga shpërthimi i koronavirusit," shton ai.

Rritja e tregut të enjten vjen teksa një numër në rritje e kompanive po paralajmërojnë zvogëlimin e të ardhurave këtë vit si rrjedhojë e përhapjes së koronavirusit.

Yum China (YUMC), e cila zotëron zinxhirë restorantesh si KFC dhe Pizza Hut në Kinë, tha të enjten se shitjet dhe fitimi i vitit 2020 kanë për të marrë një goditje, e kjo pasi shpërthimi i koronavirusit e ka detyruar atë që të mbyllë përkohësisht më shumë se 30% të dyqaneve të saj në Kinë.

Nike (NKE), Adidas (ADDDF) dhe Capri Holdings - e cila zotëron Versace, Jimmy Choo dhe Michael Kors - gjithashtu këtë javë paralajmëruan investitorët që shitjet mund të merrnin një goditje teksa virusi përhapet në të gjithë Kinën.

"Pasiguritë e mëdha mbeten si rrjedhojë e ndikimit të koronavirusit në ekonominë e Kinës," paralajmëron Fitch Ratings të enjten, duke theksuar se sëmundja është përhapur më shpejt sesa SARS ", dhe kufizimet zyrtare të udhëtimeve dhe veprimtarive në vendet e punës kanë qenë më agresivë".   /Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë