Biznes

Tregu “Çam” po falimenton

Të frikësuar dhe të pashpresë, tregtarët e tregut “Çam” thonë se po falimentojnë.
“U duk sikur 2020 nuk na mundi. Lëvizte pak. Njerëzit blinin, pavarësisht se më pak se para pandemisë, por tani jo më. Është ora 12, mesditë dhe nuk më ka hyrë kush në dyqan. Tani nuk po qajmë taksat e shteti, por po punojmë për qiranë. Ajo na vret sa nuk ka më. Mendojmë që ta mbyllim, të shohim edhe zgjedhjet” – tregon për gazetën “Si” një tregtare e cila nuk do të identifikohet.
Si ajo të gjithë kolegët e saj. Sapo mësojnë që po flasin me një gazetare kthejnë kurrizin, të tjerë indiferentë nga dëshpërimi bëhen arrogantë, të tjerë thonë se kanë frikë nga gjobat, të tjerë thonë se nuk dinë të flasin.
Emëruesi I përbashkët është dëshpërimi dhe frika e së nesërmes, e cila sipas tyre tani ka arritur kulmin, por ka vite që e përjetojnë.
“Jemi shumë keq, mediet duhet të ishin kujtuar më parë. Asnjë këmbë në dyqan sot e ditë me radhë. Nuk e dimë fare si do shkojë. Për biznesin e vogël kriza e fundit qe katastrofë”- shprehet një djalë I ri që shet veshje në Tregun “Çam”.
Të tjerë thonë se në këtë krizë dora e shteti mungoi, se përndryshe nuk do të kishim qenë në këtë gjendje pa rrugëdalje.
“Tregu “Çam” ka falimentuar. Jemi në grahmat e fundit ne tregtarët e vegjël. Shko pyeti të gjithë po deshe. Ndodh që ka ditë pa asnjë shitje. Si mund të paguash detyrimet dhe qiranë pa qarkulluar para. E mbi të gjitha tani na kërkojnë të hedhim këto kasa e të marrim kompjuter me paisje tjetër. Unë sa ia ndryshova memorien kasës 125 euro pa patur prej 5 ditësh sikur një shitje. Nuk di si do vejë. Ndoshta tregtarët pak më të mëdhenj se ne mbijetojnë, por ne po vdesim.”- shprehet një tregtar në moshë.
Dikur, para pandemisë në tregun “Çam” ishte sfidë të merrje rrugën për të hyrë nga lëvizja e madhe e njerëzve që e frekuentonin dhe blinin.
Tanimë, njerëzit të tkurrur nga kriza e pandemisë si financiarisht, ashtu edhe psikologjikisht e kanë shtrënguar dorën duke qendruar larg mjediseve të shpenzimit, madje edhe tregut “Çam” ku çmimet janë relativisht më të lira se në dyqane.
Nga vëzhgimi i gazetës “Si” të vetmet dyqane të frekuentuara në tregun “Çam” janë dyqanet që shesin produkte kuzhine për shtëpi. Por tregu “Çam” mbizotërohet nga tregtarët e veshjeve.
Të dhënat e Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm tregojnë për 42 mijë biznese të falimentuara gjatë vitit të pandemisë dhe të tjerë që po vijojnë të ulin qepenët për shkak të mospërballimit të kostove sepse kanë rënë shitjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë