Futboll

Trefishin e pagës lojtarit dhe 58 mln euro Napolit, Bajerni merr koreanin Kim

Gazeta Si – Më 1 korrik bavezërt do të paguajnë klauzolën për prishjen e kontratës që mbrojtësi ka me Napolin. Në anën tjetër i garantojnë koreanit 5 vjet kontratë me më shumë se 7 milionë euro në sezon.

Gjithçka mund të quhet e përfunduar, edhe pse nuk ka marrë formë zyrtare. Bajern Mynih ka arritur akordin me mbrojtësin Kim Min-jae, kampion i Serisë A sezonin e fundit me Napolin. Lojtari ndodhet aktualisht në Korenë e Jugut, ku po kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Është konfirmuar se klubi i madh gjerman do të paguajë 58 milionë euro në arkat e Napolit, që përfiton jo pak nga shitja e mbrojtësit që e bleu nga Fenerbahçe për 20 milionë euro verën e kaluar. Pagesa do të bëhet më 1 korrik, kur hapet sesioni për të paguar klauzolën e firmosur me kampionët e Italisë.

Kim, i datëlindjes 1996, do të firmosë me Bajernin një kontratë 5-vjeçare, ndërsa paga e tij në Gjermani do të trefishohet. Ai do të përfitojë më shumë se 7 milionë euro në vit. Tani pritet vetëm firma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë