Futboll

Tredhëmbëshi funksionon në mënyrë perfekte, Juventusi merr kryesimin

Sulmi me tre lojtarë i Juventusit funksionon në mënyrë perfekte. Krisiano Ronaldo, me Dibalën dhe Higuain në krah, është më efikas. Portugezi ka shënuar dy herë në fitoren 3-1 ndaj Udinezes dhe bardhezinjtë e shohin veten në vend të parë, me 39 pikë. Megjithatë, duhet pritur ndeshja e Interit në fushën e Fiorentinës, sepse në rast fitoreje të zikaltërve, Juventusi zbret sërish i dyti.

Ndeshja me Udinezen është dominuar totalisht nga skuadra e Sarrit, që realizoi 3 gola që në 45 minutat e para. Ronaldo zhbllokoi rezultatin pas 9 minutash, për të dyfishuar më pas, ndërsa goli i tretë mban firmën e mbrojtësit Bonuçi. Sulmi juventin është dukur vërtet i frikshëm me portugezin dhe dy argjentinasit dhe nuk përjashtohet mundësia që trajneri Sarri të vazhdojë me këtë rreshtim. Në kohën shtesë Udineze shënoi vetëm golin e nderit me Puseto.

Juventusi feston një nga golat e Ronaldos. Gazeta Si, 15 dhjetor 2019

Milani ka qenë pa fat ndaj Sasuolos, ku nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0. Kuqezinjve iu anulua me VAR një gol i shënuar nga Teo Hernandez, ndërsa Leao, i aktivizuar si zëvendësues, goditi dy herë shtyllën brenda pak minutash. Një barazim që e lë Milanin ende shumë prapa në klasifikim. Për t’u veçuar në javën e 16-të të Serisë A është barazimi 3-3 i Veronës ndaj Torinos, ku në fushë u rikthye titullar mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla, i cili vjen nga një dëmtim i gjatë. Titullar ishte edhe Berat Gjimshiti tek Atalanta në humbjen 2-1 ndaj Bolonjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë