Taksa

Treçereku i të ardhurave nga lejet e ndërtimit u mblodh në Tiranë

61 bashkitë e vendit grumbulluan në 2019-ën në total rreth 10.5 miliadë lek nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, njohur ndryshe edhe si taksa e lejeve të ndërtimit, duke përfaqësuar rreth 53 për qind të totalit të të ardhurave që pushteti vendor siguron nga taksat.

Shifrat tregojnë peshën e fortë që ka taksa e ndikimit në infrastrukturë tek të ardhurat e bashkive. Nisur nga zhvillimet jo të njëjtrajtshme dhe aplikimi i ndryshëm i kësaj takse, mes bashkive ka diferenca të mëdha.

Pjesa dërrmuese e kësaj takse për vitin 2019, siç thuhet në një raport të financavendore.al është mbledhur vetëm nga Bashkia e Tiranës. Kryeqyteti ka raportuar 8.4 miliardë lek të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Kjo do të thotë se rreth 74 për qind e të ardhurave të siguruara nga kjo taksë në shkallë vendi, ose tre të katërtat e saj, u mblodhën vetëm nga Bashkia e Tiranës dhe vetëm 26 për qind nga 60 bashkitë e tjera.

Edhe me vetveten Tirana ka shënuar një rritje në krahasim me 2018. Sipas raportit të “Financa Vendore” të ardhurat e siguruara nga bashkia e kryeqytetit përmes taksës së ndikimit në infrastrukturë për 2019 janë rreth 17 për qind më të larta se në 2018-ën, ose 1.2 mld lek më shumë. Duke qenë se niveli i kësaj takse për të dyja vitet ka qenë i njëjtë, shifrat sugjerojnë se për 2019 ka patur një rritje të lejeve të ndërtimit.

Sipas të njëjti raport, në 2019 sipërfaqja totale e lejeve të ndërtimit të dhëna ishte 58 për qind më shumë se në 2018, ose 1.2 mln metër/katrorë në total.

“Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore, rritje të numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore. presioni është përqëndruar kryesisht në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në raport.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë