Muzike

‘Tre Tenorët për Ukrainën’, të celebrosh lirinë nëpërmjet muzikës

Nga Gazeta Si - “Tre Tenorët”, koncerti që është kthyer në traditë tashmë, këtë vit erdhi si një mbrëmje me mesazhe të forta paqeje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Mbrëmjen e 18 shtatorit, “Tre Tenorët për Ukrainën” solli për publikun mesazhin e madh “Artistët për Artistët”.

Përpos muzikantëve nga Ukraina, koncerti bëri bashkë edhe artistë nga Shqipëria e vende të tjera, duke sjellë një ndërthurje të bukur të perlave muzikore shqiptare me ato botërore.

Artistët që u ngjitën në skenë ishin tenorët Mykhailo Malafii nga Ukraina, tenori shqiptar Klodjan Kaçani-Shqipëri dhe tenori ukrainas Vitaly Kovalchuk-Ukrainë.

“Këtë vit koncerti ishte një perlë, e tregoi pritja, prania full e publikut dhe duartrokitjet. Ne e arritëm qëllimin me mesazhin që donim të jepnim. Ishte një ngjarje e veçantë në skenën e TKOB”, shprehet për Gazetën “Si” producenti Edmond Tullumani.

Tullumani thotë se koncerti erdhi si një formë për të celebruar lirinë e Ukrainës nëpërmjet muzikës.  

“Nuk ka më bukur se të celebrosh lirinë e një vendi në luftë me muzikë. Duartrokritjet treguan se zgjedhja e kësaj teme ishte e duhura”, rrëfen për Gazetën “Si” producenti, ndërsa shton se “në çdo koncert duam të kënaqim publikun me programin”.

Përpos tre tenorëve, sipas Tullumanit morën një vëmendje të veçantë dhe emocionuan publikun edhe të ftuarit; sopranoja e njohur Ramona Tullumani dhe pianisti Genc Tukiçi.

Koncerti “Tre Tenorët” ka krijuar tashmë traditën dhe historinë e tij. Gjatë rrugëtimit të tij, ky event ka rezervuar për çdo vit pjesëmarrjen e artistëve më të suksesshëm të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, i pasuruar me elementë të ndryshëm të përmbajtjes skenike, skenografike, repertorit, skenarit, etj.

Por të zhvillosh një koncert në përmasa siç është “Tre Tenorët” ka dhe vështirësitë e veta.

“Nuk ka koncert pa vështirësi në Shqipëri, por është pasioni për artin që të bën të rezistosh për 21 vjet. Ky koncert duhet të ishte institucion me një buxhet të përcaktuar, pasi arti klasik do një vëmendje të shtuar”, shprehet ndër të tjera producenti.

Koncerti ndër vite është zhvilluar edhe në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike në Tiranë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Turqisë, Kosovës etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë