Ne rrjet

Tre presidentë dhe 10 kryeministra viktima, Pegasus provoi se “spiunimi” ka dalë jashtë kontrollit të qeverive

Të paktën tre Presidentë, dhjetë Kryeministra, një mbret dhe me qindra ish-Presidentë e ish-Kryeministra dyshohet se kanë qenë viktimë e përgjimeve të programit izraelit, Pegasus.

Zbulimi bëhet nga “The Washington Post”. Gazeta amerikane është pjesë e një konsorciumi me mbi 200 gazetarë dhe të paktën 17 media e organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu Amnesty International, që kanë marrë në dorëzim listën mbi mbi 50 mijë numra telefonikë që janë përgjuar nga Pegasus.

Ekspertët thonë se angazhimi mediatik përmes konsorciumit tregon se sa të mëdha janë përmasat e këtij skandali dhe se sa të fuqishme janë interesat dhe pushtetet që qëndrojnë pas tij, një ndërthurje e mes interesash mes botës së biznesit, vendeve me demokraci në tranzicion, qeverive despotike, diktatorëve, e deri te bota e krimit.

Skandali mund të marrë përmasa edhe më të mëdha në ditët në vijim, pasi veç 50 mijë numrave që po analizohen aktualisht nga konsorciumi i gazetarëve, të tjera lista mund të dalin në sipërfaqe, duke pasur parasysh shtrirjen gjeografike të bashkëpunimeve të kompanisë izraelite, NSO Group.

Kompania thotë se ka klientë të saj 60 qeveri në 40 vende të ndryshme të botës dhe në çdo rast, ajo thotë se e shet produktin e saj me qëllim që të përdoret në luftën kundër terrorizmit, krimit, trafikut të drogës dhe trafikut njerëzor. Kompania deklaron se ndalon përdorimin e Pegasus për qytetarët e thjeshtë, përfshirë këtu zyrtarë shtetërore, biznesmenë, apo gazetarë.

Megjithatë, pavarësisht qëllimeve “të mira” të kompanisë në shënjestër të Pegasus u provua se në shënjestër të Pegasus kanë qenë politikanë, gazetarët dhe aktivistë. Programi klasifikohet si armë ushtarake nga Izraeli dhe mund të shitet vetëm me miratimin e qeverisë.

“Nëse as 10 kryeministra dhe tre presidentë nuk mund të jenë të sigurtë nga një program përgjues mercenar, çfarë mundësish kemi ne të tjerët?!”, thotë John Scott Railton, shkencëtar pranë Citizen Lab, një organizatë e orientuar në luftën për mbrojtjen e privatësisë. “Meqë industria e përgjimit është e paaftë që të vetëkontrollohet, qeveritë duhet të ndërhyjnë dhe t’i vënë fre”, propozon ai.

Mesazhi i Railton u mbështet nga Edward Snowden, ish-agjenti i NSA-së amerikane që jeton prej vitesh si azilant në Rusi, pas skandalit të përgjimeve masive të qeverisë amerikane që shpërtheu në vitin 2013.

“Askush nuk është i sigurtë nga industria e programeve përgjuese e dalë jashtë kontrollit. Kontrolli i eksporteve ka dështuar si mjet për të rregulluar këtë teknologji kaq lehtësisht abuzuese. Pa një moratorium global për tregtimin e këtyre programeve, gjërat do të përkeqësohen”, paralajmëron ai.

Miliarda dollarë në mes

Informacioni është shndërruar në armën kryesore, jo vetëm në betejën mes shteteve, por edhe në betejat e brendshme për pushtet në vende të caktuara. Për këtë, Qeveritë janë të gatshme të hedhin miliona për të përgjuar kundërshtarët dhe kundërshtarët po miliona për të rrëzuar qeveritë.

Në këtë betejë të vazhdueshme industria e përgjimit po bëhet gjithnjë e më shumë fituesja e madhe. Një prej tyre është edhe NSO Group. Kompania private izraelit u themelua në vitin 2010. Themeluesit e saj janë Omri Lavie dhe Shalev Hulio, dy ish-anëtare të Njësisë 8200 e të shërbimeve inteligjente izraelite, që ka si detyrë mbledhjen e sinjaleve të inteligjencës.

Prej themelimit ka njohur vetmë rritje. Të ardhurat vjetore në vitin 2013 numëroheshin vetëm 40 milionë dollarë, por dy vite më vonë, kjo shifër u rrit në 150 milionë dollarë. Në vitin 2017, kompania u shit për 1 miliardë dollarë. Sot, xhiroja vjetore e kompanisë përllogaritet të shkojë deri në 2 miliardë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë