Njerez

Transportuesja e kafshëve: Si krijova punën e ëndrrave të mia

Merebeth Veit gjatë gjithë jetës së saj i ka dashur kafshët. Duke u nisur nga kjo, ajo gjeti një profesion për veten: transportues kafshësh. Në udhëtimet e gjata Merebeth shprehet se është miqësuar shumë me kafshët, saqë ka nga ata që nuk do t’i harrojë kurrë.
“Përpara disa kohëve një çift i ri nga San Francisko më gjeti në internet. Ata kërkonin që të transportoja një qen nga një qendër shpëtimi të kafshëve në St. Louis (Misuri) deri tek shtëpia e tyre. Unë dhe qeni i cili kishte emrin Harley u miqësuam shumë, saqë kur ua dorëzova pronarëve u thashë që nëse një ditë nuk donin ta mbanin më, të më kontaktonin,” shprehet Merebeth.
Hareley ishte një nga klientët më të sjellshëm të saj dhe së bashku ata udhëtuan përmes Kolorados dhe Nevadas veriore.
Për gati një dekadë tani, Merebeth, 65 vjeç ka qenë një specialiste e vetëpunësuar për transportin e kafshëve, duke udhëtuar kudo nëpër SHBA. Ajo tregon se në vit arrin të transportojë rreth 100 kafshë shtëpiake. Me bashkëshortin e saj, jetojnë qytetin Mountain Rest, në Karolinën e Jugut, por jeta e saj është e përqendruar tek udhëtimet dhe kafshët.

“Gjatë gjithë kohës merrem me transportimin e kafshëve të ndryshme shtëpiake. Më së shumti kam transportuar mace, qen, lepuj dhe derra,” thotë ajo.
Shpesh kafshët i gjejnë në internet dhe pronarët e tyre duan që të mos i transportojnë nëpërmjet fluturimit apo nga qendra kafshësh që i transportojnë ato në grupe.
“Një numër i bizneseve të mëdha ekzistojnë për të transportuar kafshë në distanca të gjata. Ato zakonisht nisen në datat e caktuara, si një shërbim autobusësh, ndërsa shërbimi informal që unë ofroj vjen me një çmim më të lartë, por siguron transportin e një kafshe të vetme dhe realizohet në kohë më të shkurtër,” shton ajo. Një ndër kënaqësitë e kësaj pune - sipas saj - është kur pronarët mezi presin të takohen me kafshët. Merebeth e nisi këtë punë në fund të viteve 2000, ku si fillim gjithçka nisi si një mundësi e mirë për t’i shpëtuar krizës financiare, por tashmë është kthyer në pasion për të.

“Ndonjëherë të afërmit e mi, nuk e kuptojnë punën time, por i dua shumë kafshët dhe mendoj se ata duhet të jenë të sigurtë. Një prej miqve të mi, më pyeti se çfarë kënaqësie gjeja te kjo punë dhe unë i thashë se, përpos faktit që adhuroja kafshët, kisha krijuar punën e ëndrrave të mia, pasi edhe udhëtoj edhe transportoj kafshë në mënyrë të sigurtë,” shprehet ajo.
Edhe pse në fillim nuk kishte shumë përvojë, Merebeth u regjistrua në një faqe në internet ku prezantonte punën që bënte dhe më vonë njerëzit filluan ta kontaktonin. Ajo nuk transporton një grup kafshësh, por vetëm një.
Merebeth mori një vlerësim me pesë yje nga përdoruesit. Me kalimin e kohës ajo ka krijuar marrëdhënie pune dhe me qendrat e shpëtimit të kafshëve, të cilat i rekomandojnë shërbimet e saj.

Ajo shpjegon se i ndodh shpesh që gjatë natës të flejë në veturë me kafshët, pasi nuk i pranojnë lehtë nëpër hotele. Shërbimi i shpërndarjes së kafshëve të Merebeth gjithashtu plotëson dëshirën e saj për të eksploruar. Ajo ka vizituar pothuajse çdo shtet dhe dëshiron që të kalojë kufijtë e SHBA. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë