Treg

Transporti qytetas gati të dorëzojë linjat: Vendimi i Ministrisë nul, varemi nga bashkia

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas zbulon për gazetën “Si” se janë dy shoqëri që kanë dorëzuar në bashkinë Tiranë kërkesën për të dalë nga tregu si rezultat i krizës që ka kapluar vendin nga pandemia.

Shoqata e vlerëson të pavlefshëm Udhëizimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, i cili përcakton se “në rast se operatorët e linjave të transportit qytetës, rreth qytetës dhe ndërqytetës vendosin të mos operojnë më, ata do të zëvendësohen me subjekte të përkohshme me qëllim mbulimin dhe vazhdimin pa ndërprerje e këtij shërbimi ndaj  konsumatorit shqiptar”.

Ajo argumenton se Transporti Qytetës varet drejtpërdrejtë nga bashkia.

Kemi qenë ne, thotë Rixhin Qoshja, kreu i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas që i kemi kërkuar zyrtarisht bashkisë Tiranë ti ofrojmë gjithë infrastrukturën e mundshme dhe ta marrë ajo përsipër shërbimin dhe humbjet.

Rixhin Qoshja, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas

“Dhe opsioni tjetër i ofruar në të njëjtën kërkesë zyrtare të protokolluar në bashki ishte të na mbulohej pagesa e shpenzimeve (lekë/km të përshkuara) sipas modelit europian dhe vendeve fqinj për të kapërcyer situatën e krijuar nga pandemia”- thotë Qoshja, i cili nënvizon për gazetën “Si” se asnjë shoqëri nuk mund të futet në treg në këtë situatë duke marrë përsipër humbjet e akumuluara deri tani dhe me një karvan pasigurishë dhe paqartësish përpara.

“Ne na dinë ndërmarrje të bashkisë, por bashkia nuk na paguan asnjë cent ndryshe nga shërbimet e tjera që varen prej saj. Deri në fund të gushtit bilaci total i humbjeve të shoqërive të transportit publik ishte 35 mln lekë. Kurse shtator – tetori për kompanitë e mëdha 4,5 mln lekë të reja për çdo prej tyre dhe kompanitë e tjera sipas madhësisë edhe humbja, por statistikat nuk janë zyrtare- thotë Qoshja.

Sipas tij, nëse bashkia nuk reflekton, e cila deri tani nuk ka pasur asnjë reagim dhe ka injoruar kërkesat e operatorëve, Tirana do të mbesë pa shërbim.

“Të gjitha shoqëritë po hiqen zvarrë deri në pikën e fundit. Do të luftojnë për të mbijetuar deri sa të mos munden më dhe mandej do të dorëzojnë kërkesat për dalje nga tregu. Sepse kjo nuk ndodh sot për nesër. Në bazë të kontratave ka afate kohore që duhen repsektuar, në të kundërt, penaliteti mund të jetë më i madh se humbjet e deritanishme”- shpjegon Qoshja.

Që prej vitit 2013 shërbimi i transportit publik urban kryhet vetëm nga operatorë privat. Janë 11 operatorë privatë të cilët realizojnë shërbimin e transportit urban në 16 linja të ndryshme të autobusëve të cilat kalojnë nga periferia në qendrën e qytetit si edhe disa linja të tjera për ish-komunat e Tiranës si Linzë, Mjull-Bathore, Bërzhitë, Shëngjergj etj. Operatorët zotërojnë gjithsej një flotë prej 311 mjetesh nga të cilët 271 janë me platformë për persona me aftësi të kufizuar dhe 62 të pajisur me kamera sigurie. Mosha mesatare e mjeteve është 9 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë