Biznes

Transporti publik në krizë më të thellë se pas karantinës

Transporti urban ka ulur çmimin e aboneve me 400 lekë për shkak të rënies drastike të kërkesës.“Viti elektoral nuk na jep asnjë shpresë për të dalë nga errësira”

Transporti publik në Shqipëri është një nga sektorët që megjithë nevojën dhe domosdoshmërinë, nuk sheh shpresë për rimëkëmbje. Përkundrazi, përfaqësuesit e këtij sektori thonë se situata “është më e keqe se menjëherë pas karantinës”.

Nga një analizë paraprake e Shoqatës së Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas, vlerësohet se sektori ka humbur mbi 30 mln euro gjatë 2020-ës. Humbjet në burimet njerëzore llogariten në 20%.

“Që të gjitha kompanitë kanë reduktuar oraret me 50%, që do të thotë rreth 50% e asksionerëve kanë falimentuar ose kërkojnë të largohen nga ky sektor.”- thotë kreu i shoqatës, Eneo Sulejmanaj.

Ai shpjegon se ndihma nga institucionet shterërore kanë qenë pothuajse inekzistente. Dhe pas rihapejs së shërbimit në qershor, “ne kishim parashikuar një ulje të numrit të udhëtarëve me të paktën 30% për shkak të frikës në populate lidhur me koronavirusin. Duke shtrënguar dhëmbët e mbajtëm shërbimin të hapur dhe të rregullt dhe pse me kosto shtesë për shkak të masave kufizuese, me shpresën që do të rimëkëmbeshim në tetor-dhjetor me rifillimin e universiteteve dhe rikthimin e studentëve. Por vendimi i qeverisë për mësimin online i dha goditjen përfundimtare duke çuar drejt falimentit shumë operatorë.”

Aktualisht, sqaron Sulejmanaj, situata paraqitet e vështirë dhe për një fakt shtesë, atë të lulëzimit të transportit të paligjshëm, “por dhe në ato linja ndërqytetase që mund të ketë lëvizje të udhëtarëve , po favirozohen disa kompani transporti ndërkombëtar të cilat operojnë në paligjshmëri!”

Të njëjtën problematikë që po bëhet “thembra e Akilit” për rimëkëmbjen e sketorit, e përmend edhe Kujtim Mema, kreu i shoqatës Kombëtare të Transportit.

“Janari dhe shkurti përherë kanë qenë gropë në punën tonë, çdo vit e jo më një një vit krize. Është periudhë kur njerëzit nuk motivohen të udhëtojnë, është ftohtë dhe kanë shpenzuar për festat. Por ajo që na shqetëson është vazhdimësia për të cilën nuk shohim shpresë. Ne po na gërryen transporti i paligjshëm. Po na rrjedh puna”- shprehet Mema.

Sipas tij konkurrenca e pandershme është duke lulëzuar dhe nuk po ndalohet nga shteti.

“Kemi pasur takime të vazhdueshme që nga tetori me policinë, qeverinë dhe institucione varësie të linjës. Nuk kanë reflektuar. Por ky është vit elektoral. Kur ka fushatë nuk ka zgjidhje për çështje të tilla. Sepse kanë nevojë për vota nga të gjitha palët”- shpjegon Mema.

Sipas tij shumë syresh prej pronarëve të shoqërive po e mendon mbylljen për shkak të punës së dobët.

E njëjta situatë shfaqet edhe tek transporti urban në Tiranë.

Rixhin Qoshja, kreu i shoqatës thotë për “Si” se aktualisht puna është më e dobët se kur nisi menjëherë pas karantinës në muajin qershor.

“Viti 2020 ishte një gropë e madhe financiare. Ne aktualisht po punojmë për bilancet dhe shumë shpejt do kemi shifra. Por edhe aktualisht që flasim kërkesa ka rënë shumë. Shoqëritë kanë ulur çmimin e aboneve për shkak të mungesës së kërkesës (de fakto, jo de juro) nga 1600 lekë në 1400 lekë.”- thotë Qoshja.

Ai parashikon që kriza në sektor të zgjasë për sa kohë që nuk ka asnjë ide se si “të dilet nga ky tunel i errët. Nuk ka predispozicion nga bashkia apo qeveria. U jemi drejtuar me letra të protokolluara sipas ligjit, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje, qoftë edhe negative.”.

Sulejmanaj mendon se “Ajo që realisht do të kishte ndikim dhe do të lehtësonte transportin publik janë taksat e karburantit.”

Kurse Qoshja thotë që nuk tërhiqen nga kërkesat fillestare dhe të bëra publike në vazhdimësi sepse është mënyra e vetme e shpëtimit sipas tij.

Ajo që kërkon shoqata janë; subvencionimi i të ardhurave të munguara për subjektet transportuese si pasojë e kufizimeve të protokollit të sigurisë, heqja e akcizës dhe e taksave të karburantet, siç është zbatuar dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Po ashtu kërkohet zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% - 0% dhe rikthimin në nivelin 6% ne vijim si sektori i hoteleri turizmit. Rimbursimi në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport publik falas.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë