Treg

Transporti i udhëtarëve mes qyteteve në krizë

Përpos linjave të destinacioneve bregdetare si Vlora,  Himara, Saranda, Pogradeci, nuk ka pothuajse fare lëvizje në linjat e tjera ndërqytetëse të transportit publik.

Këtë e pohojnë krerët e shoqatave respektive të Transportit Urban Ndërqytetës Kujtim Mema dhe Eneo Sulejmanaj.

Suljemanaj thotë se puna e tyre është në një gjendje dramatike.

Jo vetëm tani që punonjësit e administratës janë pushim, por edhe më parë, nuk kishin asnjë sinjal për diskutime për incentiva që të ndihmohet sektori, panvarësisht premtimeve.

“Shumë keq jemi. Realisht përveç linjave që kanë destinacion  bregdetin që janë mirë deri diku, të tjerat po punojnë me 30% kapacitet vendesh dhe 60-70% e mjeteve kanë dalë në punë.”- thotë Sulejmanaj për gazetën “Si”.

Sipas tij informaliteti në sektor është një nga dëmtueist e mëdhenj, “shtoji kësaj ne kemi nevojë për heqjen e akcizës së naftës dhe reduktimin e TVSH-së, plus rimbursimin e kapacitetit të munguar”.

Ai muajin shtator e parashikon tejet të pasigurt dhe të vështirë nëse nuk nisin universitetet.

Eneo Sulejmanaj, Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve

“Nëse nuk hapen univeristetet që të lëvizin studentët por dhe nëse nuk luftohen mjetet informale, shumë kompani do të shpallin falimentin ose do të dorëzojnë licencat. Ndihma që duhet është lufta ndaj informalëve dhe heqja e akcizës së naftës.”-shprehet Sulejmanaj,

Në fakt Kujtim Mema nga shoqata kombëtare e Transportit Ndërqytetas nuk di ta përcaktojë nëse rënia në maksimum e fluksit të qytetarëve drejt qyteteve apo rretheve të vendit është për frikë nga sëmundja dhe rënie të të ardhurave, por ai ngre një tjetër shqetësim që ia faturon Ministrisë së Infrastrukturës ndër vite.

Kujtim Mema, Shoqata Kombëtare e Transportit Ndërqytetas

“Fluksi i rënë është për disa arsye të ndryshme; ca nga mungesa e të ardhurave, ca nga frika e sëmundjes, ca se janë me pushime, por mbi të gjitha ne kemi përveç problemeve me informalitetin e lartë, edhe brenda për brenda. Nga 2017 janë licencuar 140 shoqëri në mënyrë artificiale pa qenë nevoja fare për këto shoqëri të cilat kanë shtuar numrin e orareve duke ua marrë njëri-tjetrit pasagjerët sepse në ato destinacione aq fluks ka”- thotë Mema.

Sipas tij ka linja paralele të shtuara dhe linja të vogla që u marrin pasagjerët linjave të mëdha.

Ai gjykon se duhet një reformë e thellë në sektor që të bëjë të mundur largimin e shoqërive jo rentabël dhe të krijojë një rrjet të ri linjash me parametra të duhur.

“Deri tani nuk ka dalë asnjë burrë ta marrë përsipër një reformë të tillë, pavarësisht premtimeve. Të shohim në shtator tani, dhe me të parë me të bërë, por situata është problematike”- shprehet Mema.

Por si Mema dhe Sulejmanaj thonë se nga Ministria nuk ka asnjë sinjal për një mbështetje të mundshme të sektorit, përveç pagës së luftës për muajin qershor që sapo u miratua.

Gazeta “Si” u interesua pranë Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me paketën e mundshme mbështetëse të deklaruar më shumë se një muaj më parë nga Ministrja Belinda Balluku në Bërxullë, por Ministria u përgjigj se “nuk ka një përgjigje në lidhje me paketën e deklaruar nga vetë ministrja më 23 qershor”.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka bërë me dije se së shpejti do të nisë një investim i rëndësishëm në sektorin e transportit.“Ky investim do të lehtësojë transportin e qytetarëve të cilët do kenë mundësi që të presin biletat online përmes telefonit, të zgjedhin shërbimin më të mirë, të udhëtojnë me më pak kosto. Projekti do të formalizojë tregun e transportit, çka do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit,” shkruhet në njoftim.

Por përfaqësuesit e shoqatave të transportit, këtë investim e shohin si afatgjatë.

Aktualisht, thonë ata “ne po jetojmë me maskë oksigjeni. I qëndrojmë kërkesave sepse jemi drejt falimentimit. Aktualisht administratorët e shoqërive janë me pushime, por në fundgusht do të mblidhemi të marrim vendim. Praktikisht jemi të falimentuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë