Lajme

Transferimi i Martinajt, shkarkohet drejtori i Policisë së Burgjeve

Ditën e sotme është shkarkuar nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani. Shkarkimi ka ndodhur pasi nuk u arrit transferimi i Ervis Martinajt nga Spitali Amerikan 2 te spitali i Burgjeve, pasi mjekët e spitalit privat refuzuan që të firmosin kartelën dhe fletën e daljes mbrëmjen e së martës.

Mjekët e Spitalit Amerikan 2, duke parë gjendjen shëndetësore të Martinajt, nuk e firmosën fletëdaljen, duke krijuar një situatë të tensionuar brenda ambienteve të spitalit.

Por, pas presionit të ushtruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mbi efektivat e policisë që ishin në detyrë se do bënte kallëzim penal dhe do merrte masa administrative nëse ata nuk do të realizonin transferimin e të arrestuarit në drejtim të spitalit të Burgut në Tiranë, vetë i arrestuari Ervis Martinaj ka pranuar të largohet edhe pse mjekët e spitalit nuk pranuan të firmosin fletë-daljen.

Kjo ishte një situatë e paprecedentë ku mjekët e një spitali privat, pengojnë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor që detyronte policinë e Burgjeve të transferonte Martinajn nga spitali privat në spitalin e Burgjeve në Tiranë. Gjykata ka vendosur masën 30 ditë burg për Ervis Martinajn, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e 4 tetorit në zonën e ish-Bllokut. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë