Biznes

Transaksionet cash mbi 150 mijë lekë, penalitete bizneseve

Të gjithë tatimpaguesit që për lehtësi apo arsye të ndryshme kryejnë transaksione në shumë të mëdha me para në dorë, nuk mund të veprojnë më në këtë mënyrë.

Në bazë të ligjit në fuqi, tatimpaguesit janë të detyruar që për shumat mbi 150 mijë lekë do të duhet të kryejnë transaksione përmes bankave.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjellë në vëmendje të tatimpaguesve këtë fakt duke i paralajmëruar se; në rast se vlera e transaksionit me para në dorë është me e madhe se kjo shumë, ligji parashikon penalitet në masën 10 % të vlerës së secilit transaksion.

“Ky dënim do të zbatohet si për blerësin, edhe për shitësin, nëse të dy janë persona juridikë dhe/ose fizikë tregtarë, dhe blerësi ka paguar direkt shitësin me para në dorë” sqarojnë Tatimet.

Por edhe në rast se blerësi ka paguar me para në dorë në llogarinë bankare të shitësit, dënimi zbatohet vetëm ndaj blerësit. Edhe në rastin kur shitësi i autorizuar nga blerësi, për likuidimin e transaksionit ka tërhequr me para në dorë nga llogaria bankare e blerësit, dënimi zbatohet ndaj shitësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë