Futboll

Trajneri i Celtic: Karantina ka ndikim serioz në shëndetin mendor të lojtarëve

Emergjenca koronavirus ka mbërritur në gjithë botën, përfshirë atë të sportit dhe të futbollit. Evropa po përballet me Covid-19, ku karantina shihet si e vetmja mënyrë për të evituar infektimin. Në Skoci, ka nga ata që rrezikojnë të ‘çmenden’, siç është rasti i futbollistëve të Celtic. Diçka e tillë është pranuar nga vetë trajneri i skuadrës Neil Lennon në një intervistë për BBC.

Tekniku flet qartë për të përshkruar si lojtarët e tij po përjetojnë këtë situatë emergjence: “Lojtarët e mi janë si kafshët në kafaz. Janë djem të rinj e në formë, të mësuar me një mënyrë jetese si në ushtri. Rutina e tyre është të stërviten e të luajnë. Por gjithçka ka ndryshuar. Disa prej tyre gatuajnë për veten për herë të parë në jetën e tyre”, ka shpjeguar Lennon. “Ndryshimi mund të ketë ndikim serioz në shëndetin mendor. Janë mësuar me intensitetin që papritur nuk është më. Jemi të vetëdijshëm për nevojën për të ruajtur shëndetin mendor në këto rrethana. Të gjithë duhet të ruajmë mirëqenien tonë”.

“Gjithçka është e shkretë. Ne jemi të gjithë në të njëjtën varkë. Më mungon vërtet futbolli. Më mungojnë lojtarët, stafi, ndeshjet. Më mungon vërtet gjithçka. Rinisja? Mendoj se futbolli do të ketë më shumë rëndësi pas gjithë kësaj. Tani të kthehemi tek rrënjët tona, në jetën me komunitetin, me njerëzit që takojnë njëri-tjetrin, ndoshta ishim larguar shumë nga kjo botë. Ajo që po ndodh është tragjike, por të gjithë po bashkohen për ta kaluar ketë situatë dhe kjo është e bukur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë