Drejtësia

Tragjedia në Vilë Bashtovë, lirohet administratori i plazhit: Rrezikova jetën për t’i shpëtuar

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit ka dhënë masën “arrest në shtëpi” për administratorin e plazhit në Vilë-Bashtovë, Pëllumb Nika, ku pak ditë më parë në këtë plazh u mbytën 3 persona, babai Elvis Halilaj së bashku me dy fëmijët e mitur, 15 dhe 13 vjeç.

Avokatët mbrojtjës kanë kërkuar masën “detyrim paraqitje” në mënyrë që shtetasi të vazhdojë të punojë, pasi është i vetmi person që sjell të ardhura në shtëpi, por gjykata pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes që ka kërkuar si masë sigurie “arrest në shtëpi.

Para togave të zeza Nika tha se në plazh ishte vendosur një flamur i kuq, ndërsa bovat e thellësisë në ujë i përcakton bashkia e Rrogozhinës.

Ai tha se ka rrezikuar jetën e tij kur tentoi t’i shpëtonte, ndërsa zona ku ndodhi tragjedia ishte nën administrim nga bashkia.

“Bovat nuk i vendosim ne, por e cakton bashkia Rrogozhinë hapësirën ujore që i përket çdo plazhi dhe thellësinë ku të vendosen. Unë rrezikova jetën time dhe e kisha një flamur të kuq, po edhe 10 vrojtues të ishin nuk do bënin dot gjë. Nga ana njerëzore, kur pashë që nuk po futej njeri, ma dha Zoti dhe u futa me kajak. Po u fundosa. Zonën ku vdiq i ndjeri dhe fëmijët e ka nën administrim bashkia. S’do të doja kurrë të ndodhte një gjë e tillë”-tha ai para gjykatës.

Mbrojtja tha se klienti i saj është i trajnuar dhe pse jo si vrojtues plazhi, po si punonjës sigurie dhe fatkeqësia nuk ka ndodhur në hapësirën detare përballë plazhit të tij.

Sipas mbrojtjes, Nika ka bërë një akt heroik duke rrezikuar jetën kur nuk futej askush për ndihmë në një det me dallgë, ndërsa i kishte marrë masat paraprake në plazhin e tij. Kërkoi vleftësimin e paligjshëm të arrestit në plazh dhe caktimin e masës “detyrim paraqitjeje”.

Nika e kishte marrë me qira në bashkinë e Rrogozhinës, administrimin e përcelës së plazhit, ndërsa akuzat që rëndojnë ndaj tij tanimë janë “vrasje nga pakujdesia” dhe “mospërmbushje të kushteve të sigurisë në vijën bregdetare”.

Të dielën e shkuar, babai Elvis Halilaj dhe dy djemtë e tij të mitur 13 dhe 17 vjeç, humbën jetën tragjikisht mesditën e së dielës në plazhin e Vilë-Bashtovës. Ata kishin udhëtuar nga Tirana për plazh në fundjavë, ndërsa nuk arritën të dalin dot nga deti për shkak të rrymave të forta detare.

Nga sa u raportua, babai u fut në det që të shpëtonte dy djemtë e tij të mitur dhe ka mbetur edhe vetë i mbytur. Mësohet se i pari që është mbytur ka qenë djali i vogël, e më pas babai me djalin e madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë