Ngjarje

Tragjedia në Liqenin e Banjës/ Kreu i zjarrfikëses: S’dinin not, mbytën njëri-tjetrin në përpjekje për të ndihmuar

Gazeta Si - Ilir Llapushi, shefi i zjarrfikëses në Gramsh, ka folur për mediat mbrëmjen e djeshme pas tragjedisë së rëndë ku mbetën pa jetë katër anëtarët e familjës Zogu.

Llapushi është shprehur se në liqen ka gropa të rrezikshme e që njerëzit që nuk dinë not nuk duhet të futen fare në liqen.

Ai tha se në liqen nuk mund të ketë roje pasi nuk është një ambient për t’u larë si plazhi, megjithëse dje siç tha ai qëlloi fati i keq i familjes Zogu, pasi ditët e tjera ka pasur patrulla të zjarrfikësve në liqen.

LEXO EDHE:
Tragjike! Mbyten në liqenin e Banjës babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre

"Ngjarja është shumë e rëndë, babai me dy djemtë e vet ka ardhur për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është mbytur i pari, ka shkuar për t’i ndihmuar i dyti, të tre s’kanë ditur not. Dhe i katërti nuk ka ditur not. Këtu ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e HEC-it të Banjës dhe janë të menjëhershme dhe ata kur janë futur për t’u larë nuk e kanë ditur. Ata kanë rënë direkt te gropa e kanë tërhequr njëri-tjetrin", është shprehur Llapushi.

"Liqeni është i thellë i gjithi; nuk mund të vësh tabela informuese. Faktikisht liqeni nuk është për t’u larë, nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ne si zjarrfikës e patrullojmë dhe dje në darkë këtu kemi qenë se kemi një gomone, që patrullojmë vazhdimisht, fatkeqësisht sot nuk erdhëm, jo se do ta shpëtonim, por sot nuk erdhëm e qëlloi keq për familjet e tyre. Nuk është plazh këtu që të ketë roje, këtu nuk lahet njeri fare. Një njeri që nuk di not nuk duhet të futet sidomos nëpër liqene që janë të rrezikshme”, sqaroi Llapushi.

Katër jetë u shuan në mënyrë tragjike pasditen e të premtes në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit.

Viktimat janë Arben Zogu, 46 vjeç, dy djemtë e tij Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, dhe nipi i tij Melis Zogu, 20 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë