Ngjarje

Tragjike! Mbyten në liqenin e Banjës babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre

Gazeta Si – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Gramsh, ku katër persona janë mbytur në liqenin e Banjës. Të mbyturit janë vëllezërit Ruben dhe Asti Zogu, përkatësisht 19 dhe 14 vjeç. Ata janë mbytur bashkë me babanë e tyre Arben Zogu, 46 vjeç.

Personi i 4-t i mbytur ishte kushëriri i tyre, nipi i Arben Zogut, Melsi Zogu, 20 vjeç.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 19:00, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Gramsh ka marrë një telefonatë se 4 shtetas dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrëfikësit, ku ka rezultuar se:
Në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit, dyshohet se shtetasit A.Z, rreth 46 vjeç, R.Z, 19 vjeç, E.Z, 14 vjeç, (babai me dy djemtë) dhe kushëriri i tyre shtetasi M.Z, 20 vjeç, sipas deklarimeve të familjarëve janë futur në liqen për t’u larë dhe nuk kanë dalë më.

Gjithashtu, menjëherë në drejtim të liqenit janë nisur polumbarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni.

Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit. Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Po sot janë regjistruar edhe dy raste të tjera me humbje jete në plazhe dhe konkretisht në plazhet e Durrësit dhe Tales në Shëngjin. Dy personat kanë gjetur vdekjen pas kontaktit me ujin dhe dyshohet për arrest kardiak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë