Ngjarje

Babai me dy djemtë e nipin u mbytën në Liqenin e Banjës/ Banorët të pasigurt: S’ka as roje as tabela, shteti të marrë masa

Gazeta Si - Një ditë pas tragjedisë në Cingar të Gramshit, ku babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre humbën jetën në liqenin e Banjës, banorët ndihen të tronditur. Dy familje kanë hapur dyert e mortit për t'i dhënë lamtumirën babait, dy djemve dhe nipit të tij.

Ndërkohë që këtë të shtunë, jkanë me dhjetra njerëz që shkojnë në familjet e viktimave për t'i dhënë lamtumirën.  “Është bërë gjëma në fshat. 4 varre me një shtëpi! Gjëmë e madhe”, thonë ata të tronditur.

Banorët e zonës ishin në dijeni se liqeni i Banjës është i rrezikshëm dhe atje nuk bëhej plazh. Ata shprehen se janë të shqqetësuar shumë dhe neglizhenca e autoriteteve për të marra masa sigurie, të cilat ndoshta dhe mund të kishin parandaluar ngjarjen e rëndë.

“Liqeni është shumë i rrezikshëm është i pambrojtur. E patë rrugën. Këtu është bërë skandal me Banjën. E bënë HEC dhe e lanë ashtu.  Nuk ka as roje as gardhe. Duhej të kishin bërë rrethime. Tabela jo, roje jo. Këtu nëse nuk e njeh zonën, bie në liqen dhe mbytesh. Ata shkuan të laheshin, por nëse rrëzohet aksidentalisht një fëmijë,nuk e shpëton dot”, - ankohen banorët.

Një tjetër tha se liqeni nuk është për t’u larë. Ai kërkoi nga shteti që të bëjë kufizime që të mos ndodhin raste të tjera. Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që tragjedi të tilla ndodhin në liqen.

“Jam shokuar kur e kam dëgjuar dhe e njoh mirë kush është. Banja për t’u larë nuk është. Shteti të bëjë kufizime, asgjë më tepër. Të paktën mos të ndodhin gjëra të tjera më, sepse kanë ndodhur shumë në këtë pjesë liqeni”.

Trupat e pajetë të Arben Zogut, rreth 46 vjeç, dy djemve të tij, Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, si dhe kushëririt të tyre Melis Zogu, 20 vjeç, u nxorrën pas 90 minutash kërkime nga polumbarët.

Ata u gjetën pranë njëri-tjetrit. Sipas policisë, ky është edhe shkaku i tragjedisë. I pari që ka qenë duke u mbytur ka tërhequr edhe të tjerët, të cilët janë munduar ta shpëtojnë. Por fatkeqësisht asnjëri nuk doli i gjallë.

Bashkia e Gramshit do të mbulojë shpenzimet e funeralit për 4 personat që u mbytën mbrëmë në liqenin e Hecit të Banjës.

Në një reagim në “Facebook”, kryebashkiaku Besian Ajazi ka reaguar për ngjarjen, ndërsa ka ngushëlluar dy familjet Zogu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë