Është thelluar numri i viktimave nga zjarret që përfshinë periferinë e Athinës. Autoritetet greke konfirmojnë se numri i viktimave ka shkuar në 85.
Deri ditën e mërkurë janë identifikuar 61 prej tyre, ndërkohë që numri i të plagosurve vazhdon të jetë 187. Ngjarja bëhet akoma më tragjike, pasi 24 prej viktimave janë fëmijë, të cilët janë përcëlluar në flakët e zjarrit.
Zjarri në rajonin e Atikës ishte një tragjedi e vërtetë për popullin grek, pasi flitet paraprakisht edhe për 6000 prona të dëmtuara, nga të cilat 720 banesa janë shpallur të pabanueshme.
Shumë shtete europiane dhanë ndihmën e tyre, ndërkohë qeveria greke ka njoftuar se do të krijojë lehtësi fiskale për të prekurit nga zjarret, ndërsa në ditët e ardhshme do të parashtrojë një plan rimëkëmbjeje të të gjithë zonës.
Duke ditur që një numër i konsiderueshëm viktimash rezultojnë të zhdukur, bilanci i viktimave edhe mund të rritet. Mes personave të zhdukur janë shpallur edhe dy shtetase shqiptare, punonjëse të një restoranti.
E ndërkohë që grekët po luftojnë me flakët, në katastrofën më të madhe të viteve të fundit, autoritetet bullgare i kanë paralajmëruar se mund të përballen me përmbytje pas reshjeve të mëdha që priten të tejfryjnë shtretërit e lumenjve Arda dhe Maritsa që rrjedhin në territoret e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.