Lajme

Tragjedia e Xhenovës, e shtuna ditë zie

Ditën e shtunë, qeveria italiane e ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të 39 viktimave që humbën jetën si pasojë e rrëzimit të urës Morandi në Xhenova.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për periudhën prej 12 muajsh, në rajonin Liguria. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se do të ndajë 5 milionë euro shtesë nga fondet qendrore dhe do t’ia dhurojë këtij rajoni.

Funerali shtetëror i viktimave do të zhvillohet të shtunën më 18 gusht në orën 11. Ceremonitë mortore do të organizohen nga shteti.

Ato do të mbahen në kompleksin “Fiera di Xhenova” dhe të pranishëm do të jenë përfaqësues të qeverisë, ndërsa mediat italiane raportojnë se i pranishëm do të jetë edhe presidenti Serxho Matarela.

Qeveria së shpejti do të emërojë një komision ad hoc për të garantuar rindërtimin.

Është masa e parë e ekzekutivit që të ndërhyjë pas rënies së urës Morandi që ka shkaktuar së paku 39 viktima, dy prej të cilëve janë shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë