Motosport

Tragjedi në Rally Dakar, ndërron jetë piloti holandez

Tragjedi në Dakar 2020. Pas aksidentit me pasojë vdekjen e portugezit Paulo Goncalvess në etapën e 7-të, një tjetër vdekje ka tronditur këtë kompeticion. Edwin Straver nuk ia doli dot. Piloti holandez, 48 vjeçar, u rrëzua  midis pitstopit të dytë dhe të tretë, duke pësuar atak kardiak si dhe thyerje të vertebrës cervikale.

I dërguar në spitalin e Riyadh, Straver ka qëndruar në kurim intensiv, deri të mërkurën e kaluar, pastaj u dërgua në Holandë, ku u nda nga jeta. 48-vjeçari holandez, ishte në pjesëmarrjen e tretë në Rally Dakar, ku garonte në kategorinë Original, i rezervuar për pilotet asistencë. Në 2018 u rendit në vendin e 49-të në klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa vitin e kaluar në vendin e 30-të. Këtë vit ai renditej në vendin e 38-të, 4-të në Original.

 “I gjithë karvani i Dakar i shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjes, miqve e të afërmve të Edwin”, lexohet në një komunikatë. Straver është piloti i dytë i edicionit të 42 të Dakar, që humb jetën, pas portugezit Paulo Goncalves, që humbi jetën në etapën e shtatë në kategorinë e motorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë