Njerez

Trafiku njerëzor, Shqipëria në vendnumëro në raportin e DASH

Shqipëria ka ngelur në vendnumëro sa i takon luftës kundër trafikut të personave. Departamenti i Shtetit publikoi raportin për vitin 2019, në të cilin thekson se pavarësisht përpjekjeve domethënëse të Qeverisë, vendi nuk i plotëson standardet minimale për eleminimin e fenomenit.

“Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson standardet minimale për eleminimin e trafikimit, por po bën përpjekje domethënëse në këtë drejtim. Qeveria tregoi vullnet dhe përpjekje më të mëdha në krahasim me periudhën e kaluar (2018)”, thuhet në raportin e DASH.

DASH thotë se në 2018 dhe 2019 janë dënuar vetëm pesë trafikantë të personave dhe thekson se ky është numri më i ulët që prej vitit 2014-të.

“Qeverisë i mungoi përpjekja për të identifikuar grupet vulnerabël, si emigrantët, azilkërkuesit, individë që e ushtrojnë seksin për përfitime financiare dhe fëmijët në nevojë. Qeveria vonoi fondet për qëndrat e strehimit të organizatave joqeveritare dhe shërbimeve sociale u mungonin burimet për një plan afatgjatë përkujdesjeje dhe riintegrimi në shoqëri të viktimave të rafikut, veçanërisht për fëmijët”, thuhet në raport.

Megjithatë, në raportin e DASH theksohet se qeveria rriti përpjekjet për mbrojtjen e viktimave, duke forcuar bashkëpunimin me organizatat joqeveritare.

“Organizatat joqeveritare, me mbështetjen e Qeverisë mbajtën në funksion një njësi të lëvizshme për identifikimin e viktimave. Njësia përbëhej nga punonjës socialë dhe efektivë të policisë në tre rajone. Megjithatë, për shkak të mungesës së stafit të përhershëm, formalizimit dhe burimeve të tjera, kjo njësi ishte e paqëndrueshme”, theksohet në raport.

Mes rreshtave të raportit vihet re edhe një fenomen relativisht i ri. Sipas DASH, viktimat e huaja nga vende të tjera europiane dhe nga Filipinet shfrytëzohen për trafik seksi dhe punë të detyruar në Shqipërëi, ndërsa emigrantë të paligjshëm nga Azia po punësohen nga familje të pasura, duke qenë vulnerabël ndaj skllavërisë. Në raport theksohet se emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Afria kalojnë që tranzit përmes Shqipërisë për në vendet e Perëndimit janë të rrezikuar më së shumti nga trafikimi.

SHBA vë në dukje se sipas ekspertëve autoritetet ligjzbatuese rrallë nisnin hetimet kur shoqëria civile identifikonte një viktimë të mundshme, ndërsa policia thotë se një pengesë në identifikimin e viktimave ishte edhe diferenca se çfarë nënkuptohej me “trafik personi” mes autoriteteve dhe shoqërisë civile.

Raporti thotë gjithashtu se Inspektoriatit të Punës i mungon aftësia për të identifikuar viktimat e punës së detyruar.

DASH përsërit se ashtu si në pesë raportet e fundit, viktima të trafikut në Shqipëri janë si shtetas shqiptarë, ashtu edhe të huaj, madhorë dhe të mitur që shfrytëzohen brenda dhe jashtë vendit në industrinë e paligjshme të seksit, të lëmoshës dhe të punës së detyruar. Për 2019, DASh thotë se ka patur raporte të izoluara, kur fëmijët janë detyruar që të punojnë në parcelat e hashashit dhe se disa trafikantë të qenieve njerëzore janë të përfshirë edhe në trafikun e drogërave.

Raporti rithekson se vendet kryesore të trafikut janë Kosova, Greqia, Italia, Belgjika, Gjermania, Zvicra, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Holanda dhe Britania e Madhe.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë