Gazeta Si - Një grup prej 3 prokurorësh, i kryesuar nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, kanë udhëtuar drejt Brazilit për ngritjen e një grupi të përbashkët hetimor ndaj një linje të trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Europës, ku të përfshirë janë edhe shtetas shqiptarë.
Sipas burimeve paraprake, së bashku me Altin Dumanin, pjesë e delegacionit nga Shqipëria është dhe zv/drejtuesi i SPAK, Adnand Xholi dhe prokurorja, Elida Kaçkini.
Prokuroria e Posaçme ka pasur një praktikë hetimore me autoritetet e Brazilit, lidhur me trafikun e 69 kg kokainë të sekuestruar në 18 maj 2021 në anijen “NSC Atros”.
Nisja e kësaj sasie droge do realizohej nga porti i Sao Paolos, Brazil dhe destinacioni përfundimtar ka qenë porti i Valencias në Spanjë.
Mësohet se në 25 shtator 2023, kjo letër-porosi është ekzekutuar për SPAK-un nga autoritetet e Prokurorisë së Brazilit dhe si pasojë e hetimeve për trafikimin e 69 kg kokainë, SPAK ka proceduar shqiptarët, Ismail Zeneli me nofkën “Dajloki”, Eralbi Breçani me nofkën “Boli” ose “Toni”, një shtetas tjetër B.M., dhe Ergys Dashin me nofkën “Elb-Nisan”.
Por për shkak se Ergys Dashi është ekzekutuar në një atentat në Ekuador në janar 2022, hetimi ndaj tij është ndërprerë.
Ndërsa, një rast tjetër ku drejtuesit e SPAK kanë shfaqur mjaft interes për të rakorduar hetimet në Brazil, lidhet dhe me episodin e ndodhur në 2 shtator 2019 në Gefron të Brazilit, ku u sekuestruan brenda një kontejneri ngarkesa prej 617 kg kokainë.
Të gjitha pakot e kokainës ishin të identifikuara me logon e Futboll Club Elbasanit, duke ngritur dyshime të forta se pronarët e drogës ishin nga Shqipëri dhe pikërisht duke simbolizuar qytetin e Elbasanit.
Gjithnjë sipas burimeve, për këtë episod të trafikut të kokainës, SPAK ka marrë dhe dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erjon Alibej, i cili i ka treguar prokurorëve se sasia prej 617 kg kokainë e kapur në Brazil, i përket një grupi kriminal në qytetin e Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.