Dosje

Trafiku i drogës, shqiptarët të përfshirë në vrasjen e policëve ‘të penduar’ në Ekuador

Gazeta Si - Bandat shqiptare, por edhe ato meksikane apo kolumbiane, përveçse të fuqishme, janë bërë edhe të rrezikshme në Ekuador.

Krimi i organizuar në këtë vend, prej muajsh po sheh një rritje të madhe, por bandat kriminale, kanë nisur një “fushatë” duke vrarë agjentë policie në luftën e ashpër për të parandaluar trafikun e drogës.

Mes tyre, raportojnë mediat, ka dhe nga ata që kanë bashkëpunuar më parë dhe më pas janë penduar.

Në një javë, 3 oficerë janë vrarë dhe 2 të tjerë janë plagosur si pasojë e atentateve në zona të ndryshme të Ekuadorit.

LEXO EDHE:
- Foto-Video/ Vritet në restorant 34-vjeçari shqiptar në Ekuador, në pritje të pjatës mori disa plumba në kokë
- Nga Ballkani në Guajakili, aleanca e karteleve shqiptare të drogës me grupin famëkeq Sinaloa dhe FARC
- Në rrjetin e ‘baronit’ të drogës/ ‘Po dal për ajrosje’! Si u zbulua Dritan Rexhepi në burg dhe gjurmët e kokainës nga Ekuadori në Europë
- Raporti/ Mbi 10 vjet mafie shqiptare në Ekuador. Kokaina, klanet familjare dhe lufta për pushtet

Trupi i një oficeri policie u gjet në Guajakili më 5 maj, ku shtypi lokal ka raportuar prej kohësh se qëndrojnë edhe trafikantë droge nga Shqipëria.

Në prill, një tjetër punonjës policie u vra në një autostradë jashtë Guajakilit, ku ndodhet porti më i madh në vend, që shërben për trafikimin e drogës drejt Europës.

Polici u ndoq nga dy vrasës me pagesë me një motor dhe e qëlluan në mes të ditës.

"InSight Crime", shkruan se këto atentate po kthehen në një trend shqetësues në Ekuador.

Numri i oficerëve të vrarë është rritur gjatë viteve të fundit. Në vitin 2020 ka pasur vetëm 5 punonjës policie të ekzekutuar, në 2021 shkoi në 13, ndërsa në vitin 2022 pritet që të rritet akoma më shumë.

Sipas një analize të “InSight Crime”, rritja e dhunës në Ekuador nxjerr në pah kapacitetet e forcave të ligjit atje dhe korrupsionin në radhët e tyre.

“Shumica e vrasjeve të policisë kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Ata po lajnë hesapet”, - tha për “InSight Crime” Arturo Torres, një gazetar vendas me përvojë të gjerë në mbulimin e krimit të organizuar.

Torres shtoi se disa nga policët e vrarë mund të kenë pasur lidhje të drejtpërdrejta me bandat.

“Pasi rekrutohen, oficerët e policisë nuk mund të largohen nga këto grupe ose të ndalojnë së vepruari në emër të tyre”, - tha ai.

Torres shpjegoi se rritja e grupeve meksikane dhe shqiptare që merren me trafikimin e drogës ka nxitur dhunë më të madhe.

Prej vitesh, Ekudori është kthyer në një “oaz” për shumë shtetas shqiptarë, të cilët janë lidhja kryesore me grupet kolumbiane dhe vendase për trafikimin e sasive të mëdha të drogës drejt vendeve të BE.

Por lufta për territor dhe trafikun e drogës, ka shkaktuar shumë viktima edhe mes shqiptrëve.

Rasti i fundit daton në 22 janar të këtij viti, ku 34-vjeçari Ergys Dashi u ekzekutua në një restorant në Guajakili të Ekuadorit.

I riu ishte “koka” e një grupi kriminal të trafikut të drogës që vepronte mes vendeve të Amerikës Latine, Italisë dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë