Ka ndodhur

SPAK kërkon 63 vite burg për anëtarët e grupit “Habilaj” dhe konfiskim të 22 pasurive me vlerë 82 mln lekë

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, kërkoi 63 vite burg në total për anëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj me akuzën për trafik dhe kultivim narkotikësh në kuadër të grupit kriminal.

Konkretisht SPAK kërkoi për Moisi Habilajn, 18 vite burg, Nezar Seitin 15 vite burg, Meridian Sulajn 15 vite burg dhe Fatmir Minajn 15 vite burg.

Gjithashtu  SPAK ka kërkuar edhe konfiskimin e 22  pasurive  të vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj si dhe familjarëve të tyre,  që  kap vlerën e 82 milionë 440 mijë lekëve të reja.

Për shkak se procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar  të pandehurit që janë dënuar edhe nga gjykata e Katanias në Itali, do të përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit.

Në fakt, prej janarit të këtij viti, Moisi Habilaj dhe Nazer Seitaj janë në kërkim, pasi ishin larguar nga vendi i qëndrimit që i kishte caktuar gjykata italiane në Katania. Gjykata e Apelit të Katanias, e kishte dënuar përfundimisht me 15 vite e 5 muaj burg Moisi Habilajn. Ndërsa Nazer Seitaj, i ashtuquajturi “financieri i grupit”, ishte dënuar me 7.4 vite burgim për të njëjtën akuzë.

Por shkalla e parë në Itali, kishte vendosur që dy shqiptarët të mos qëndrojnë në burg, por në kushtet e “arrestit shtëpiak”, deri në zgjidhjen e çështjes në Apel. Kaq ka mjaftuar që dy trafikantët shqiptarë që dolën në dosjen “Tahiri”, të shpallen sërish në kërkim

Së bashku me Habilajn, u dënuan edhe Meridian Sula, Nezar Seiti, Antonino Riela, Vinçenco Spanpinato, Angelo Buzaka, Xhanluka Pasavanti dhe Xhuzepe Greko.

Ndërkohë për të njëjtën dosje, janë në kërkim 2 ish-zyrtarët e policisë së Vlorës, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode. I vetmi që vijon të qëndrojë ne qeli është ish-drejtori I policisë së Vlorës, Jaeld Çela i dënuar me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre, i cili u dorëzua pas disa kohësh në arrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë