Drejtësia

‘Toyota Yaris’, Apeli i GJKKO ia kalon përfundimisht 3.4 mln eurot shtetit

Gazeta Si - Shuma prej 3.4 milionë eurosh që u gjet në dy makinat “Toyota Yaris”, tre vite më parë në Portin e Durrësit, janë konfiksuar përfundimisht nga autoritetet shtetërore.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Posaçme Apelit, e cila ka pranuar kërkesën e SPAK-ut.

Hetimi i nisur me bujë të madhe, është shfryrë në gjykim, kur Elvis Vladi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg vetëm për mosdeklarim të vlerave monetare.

Ndërkohë që akuza fillestare ka qenë “pastrim i parave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

LEXO EDHE:
- Dëshmia e Bashës para prokurorëve belgë për 3.4 mln eurot: Më informuan qytetarët
- Shfryhet çështja ‘Toyota Yaris’, poseduesi dënohet me 1 vit burg për milionat e eurove
- ‘Toyota Yaris’ dhe një grup kriminal, prokurori belg vjen në Tiranë për dosjet e nxehta

Kjo çështje në fillim u përdor nga opozita shqiptare për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kreu i demokratëve Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit, deklaronte për miliona të krimit, që po vinin në Shqipëri përmes automjeteve “Toyota”.

Tre ditë pas deklaratës së Bashës, në Durrës u kapën dy makina “Toyota Yaris” me disa miliona euro brenda tyre.

Balla e paditi Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut te grupit socialist.

Kryedemokrati u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Ballës. Automjetet u gjetën në një karotrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës.

Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompanie shqiptare, ndodheshin dhe 8 makina të tjera që kishin kryer itinerarin Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri për të mbërritur në portin e Durrësit.

Pas zbulimit të eurove, policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, si dhe shtetasit Klevis Lika, djalin e pronarit të kompanisë, dhe shoferin e kamionit, Agim Çeku.

Një ditë më pas, më 25 qershor, në pranga ra edhe Alban Mollaymeri, biznesmeni që kishte porositur makinat nga Belgjika.

Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladin, që dyshohet se ishin personat që do të merrnin paratë.

Në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje” me dy vjet e katër muaj heqje lirie.

Dosja ‘Toyota Yaris’ ishte objekt hetimi në katër shtete, mes të cilave edhe në Belgjikë e Britani të Madhe, për sa kohë njëri rezultoi të ketë qenë i dyshuar për trafik kokaine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë