Motosport

Toto Volf e pranon hapur: Mercedesi 2022 ishte gabimi im më i madh në këto vite

Gazeta Si – Ditët e triumfeve në Formula 1 duken kujtime të largëta për Mercedesin e Toto Volf. Titulli i fundit për konstruktorët është para dy vitesh, kurse për pilotët para 3 vitesh. Skuderia nga Shtutgarti ka vuajtur për të interpretuar rregulloren e re, siç kanë treguar në fillim makina E13 e më pas makina W14.

Janë makina që kanë lindur nga e njëjta filozofi, diametralisht e kundërt në krahasim me atë që po dominon, falë Red Bull-it. Mercedesi e ka humbur bastin: një fitore në dy vjet dhe vendi i dytë për kostruktorët janë rezultatet më të mira. Rezultate, që siç ka pranuar vetë Toto Volf për ‘Bild’, e bëjnë këtë projekt gabimin e tij më të rëndë.

Drejtuesi kryesor i Mercedesit ka folur hapur për të përditshmen gjermane: "Makina W13 ishte gabimi im më i madh në këto vitet e fundit. Kemi gabuar qasjen në ndërtimin e makinës për sezonin 2022, nuk ishte rruga e duhur ajo që ndoqëm.

Vazhdimi me këtë koncept të gabuar në 2023-shin ishte gabimi i dytë më i madh. E mbroj këtë vendim, duke qenë se fituam në Brazil. Çdo skuadër do ta konsideronte atë fundjavë si një pikënisje për sezonin e ri. Më shumë se gjysma e skuadrës ishte e bindur se situata po ndryshonte". Por në fund nuk doli kështu, siç tregoi viti 2023.

Toto Volf është i njohur edhe për shigjetimet që bën shpesh ndaj skuadrës së tij. "Të kritikosh skuadrën në media është pjesë e një loje ekulibrash, që jo gjithmonë kam arritur ta kontrolloj në mënyrën më të mirë.

Shumë punonjës motivohen kur kanë në krye një shef ambicioz, por ndonjëherë ndodh që kalohet limiti. Nëse kam qenë shumë i ashpër, të hënën kthehem në fabrikë dhe kërkoj ndjesë. Edhe kjo është pjesë e një lidershipi të mirë", - ka thënë Volf.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë