Muzike

Torna a Surriento – Genc Tukiçi dhe Inva Mula,  një tjetër koncert bashkë

Suadela Balliu  - “Kemi një jetë që bashkëpunojmë” , përgjigjet Genc Tukiçi nga Kalabria, drejt së cilës ka udhëtuar me të përmbyllur koncertin lirik  në Chiostro San Francesco, në Sorrento, qyteti në bregun e Amalfit, ku shoqëroi në piano sopranon Inva Mula. “Tani e kam humbur edhe numërimin e koncerteve që kemi realizuar bashkë”, vijon pianisti i njohur ndërsa ndan emocionet e mbrëmjes së 11 gushtit me publikun italian që i priti ngrohtë dy artistët shqiptarë.

Pas pjesës së parë me arie nga operat klasike, nuk do të mungonin pjesët e dashura napolitane “O Sole mio” apo “Torna a  Surriento" të Caruso-s, shtyrë edhe nga vendi ku siç rrëfen Tukiçi, janë ngjitur artistë si Luciano Pavarotti apo Lucio Dalla.

“Unë luajta dy pjesë që kisha kompozuar me himnin italian mbi një temë nga Romeo dhe Zhuljeta. Ishte eksperiencë e jashtëzakonshme si shpeshherë me Invën.”

Inva Mula dhe Genc Tukiçi, koncert në Sorrento

Së bashku kanë realizuar një sërë koncertesh në Europë, Amerikë e Afrikë, zbulon më tej Tukiçi, ndërsa thotë se plane në të ardhmen mund të jenë koncerte në Australi e Azi, kontinente ku ende nuk kanë  realizuar bashkë një koncert. 

Bashkëpunimi mes zërit të sopranos dhe virtuozitetit të pianistit ka nisur qysh herët, “në bankat e shkollës”  - shton Tukiçi, kur të dy jetonin ende në Shqipëri dhe karriera e tyre nuk kishte marrë  famë ndërkombëtare si tani. “Prindërit tanë kanë punuar dhe kanë kënduar bashkë dhe ky bashkëpunim mes nesh vazhdon krejt natyrshëm”. 

Gjatë korrikut, Genc Tukiçi dhe sopranoja me famë botërore  janë takuar në një tjetër ngjarje kulturore si  festivali “MIK” i organizuar në Korçë, ku Mula ishte drejtore artistike. Ishin pesë net kushtuar muzikës klasike  me muzikantë të ftuar nga e gjithë bota dhe një koncert ku sopranoja ka kënduar me kolegë të saj, titulluar “Inva and friends”.

Genc Tukiçi, Inva Mula dhe Olen Cesari në  MIK festival 

“Ishte ngjarje e veçantë për mua, sepse Inva është një mikeshë dhe jo vetëm koncerti “Inva and Friends”, por i gjithë festivali ishte arritje” – thotë Tukiçi, ndërsa vlerëson edhe pjesëmarrësit në këtë ngjarje ndërkombëtare të muzikës në një qytet me traditë kulturore si Korça. “Simbolika e MIK është e dyanshme; ku përveç se do të thotë Muzikë Innternacionale në Korçë vjen edhe si mik me njeriun, sepse muzika bëhet për njerëzit”- vijon Tukiçi, i cili luajti Fantazinë Argjentina  për piano dhe orkestër, të krijuar për Papa Franceskun. Për herë të parë, rrëfen ai, këtë pjesë të kompozuar prej tij, e luajti në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. “Jam i sigurt se MIK do të vazhdojë gjatë” , shton Tukiçi, ndërsa për të ardhmen thotë se kanë plane pafund me sopranon. “Por ngjarja më e afërt ku do të jem është koncerti i Tre Tenorëve,  në javën e parë të muajit Tetor”, zbulon pianisti, duke shtuar se ky vit është jubilar për këtë koncert pasi ka mbërritur në edicionin e pesëmbëdhjetë të tij.

Për ata që nuk kanë mundur t’i ndjekin në qytetin bregdetar aq idilik sa i janë kushtuar edhe këngë, në videot e postuara në Facebook , mund të dëgjoje tingujt e pianofortes që duket sikur merrnin zërin e sopranos tek këndon “te voglio bene assai ...” nga një tarracë e vjetër në gjirin e Sorrentos, për ta bashkuar me valët e detit që shndrin, ndërsa era fryn fort...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë