Futboll

Tonali i thotë ‘Po’ Premier Ligës, Milani afër akordit prej 80 milionë eurosh

Gazeta Si – Mesfushori ka pranuar shitjen në Premier Ligë. Për të është gati një kontratë 8 milionë euro, plus 2 milionë bonuse nga Njukasëlli.

Sandro Tonali është gati të lërë Milanin, nëse klubi kuqezi saktëson edhe detajet e fundit me drejtuesit e Njukasëllit. Lojtari ka pranuar të lërë skuadrën, për të cilën ka bërë tifo gjithmonë, përballë një oferte shumë të mirë, që Milani as që mund t’i afrohet.

Tonali dhe trajneri Pioli. Gazeta Si, 21 qershor 2023

Bisedimet janë në hapat e fundit, diferenca është shumë e vogël mes ofertës 70 milionë euro plus 5 bonuse të Njukasëllit dhe 80 milionë eurove të kërkuara nga Milani për numrin 8. Orët e fundit bisedimet janë shpejtuar, me kontakte të shpeshta me agjentin e futbollistit për të përcaktuar detajet e ofertës së majme.

Championsin e ardhshëm Tonali mund ta luajë me fanellën e Njukasëllit, me një kontratë të pasur shumëvjeçare në xhep. Një lamtumirë e detyruar nga Milani, që në fillim rezistoi përballë ofertës së parë prej 60 milionësh. Tani anglezët janë afër 80 milionëve të kërkuar, ndërkohë që i ofrojnë mesfushorit më shumë se dyfishin e pagës që ka marrë te kuqezinjtë.

Milani ndërkohë po mendon për Fratezin e Sasuolos si zëvendësues, si dhe po ndjek me interes pistën e talentit turk Arda Guler.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë