Futboll

Tomas Tuhel prezantohet te Bajerni: Ky klub e ka fitoren në AND-në e vet

Gazeta Si - Tomas Tuhel është prezantuar si trajneri i ri i Bajernit, ku ka zënë vendin e Julian Nagelsman. Klubi bavarez përfitoi nga ndërprerja e kampionatit për të marrë një vendim drastik, që erdhi më shumë nga problemet e brendshme se nga rezultatet.

"Skuadra që do të kem në dispozicion, - ka thënë Tuhel në prezantim, - është një nga më të fortat e Europës. Mund të fitojmë gjithçka".

Ambicjet e trajnerit të ri janë të njëjta me ato të klubit gjerman. "Të kërkohesh nga Bajerni është një nder. Kur kam punuar jashtë Gjermanisë jam ndërgjegjësuar më shumë për rëndësinë e këtij klubi, që e falënderoj. AND-ja e Bajernit është fitorja, mund të pretendojmë çdo trofe me grupin që kemi”, - ka vazhduar Tuhel.

Ai ka treguar edhe prapaskenën që e çoi te bavarezët: "Dimensionet e kësaj sfide janë faktori vendimtar që më solli këtu, jam afruar edhe me familjen. Mendoja se do të drejtoja sërish jashtë, por të martën më telefonuan dhe ishte gjithçka shumë e shpejtë. Nuk kishim kontakte më përpara".

Trajneri 49-vjeçar do të debutojë në stolin e Bajernit kundër Borusia Dortmund, ish-skuadrës së tij. "Sfida e parë është me Borusian kryesuese, një histori e disa viteve më parë. Fakti që janë para nesh në klasifikim e bën edhe më të fortë këtë ndeshje. E kam një ide dhe besoj te lojtarët”, - theksoi Tuhel.

Kontrata e tij me Bajernit është për dy vjet e gjysmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë