Lajme

Toka po shndërrohet në një procesor gjigant, bit-et po tejkalojnë atomet

Në vend që të imagjinonin të ardhmen e njerëzimit të mbushur me pandemi, alienë, apo fenomene të tjera shqetësuese, do të bënim mirë që të merakoseshim më fort për faktin se një ditë ndoshta do të çlirohemi nga trupat tanë dhe të shndërrohemi në një bit. Është një e ardhme që ka më shumë gjasa që të ndodhë, madje në realitet ka nisur.

Gjithmonë e më shumë bota po krijon varësi nga informacioni dhe njësitë digjitale po e dominojnë planetin. Çdo vit rritet oreksi i njeriut për karbon, naftë, bakër, silikon dhe alumin, materialet kryesore që përdoren për të prodhuar kompjuterat dhe pajisjet e tjera teknologjike.

Të gjitha këto janë të nevojshme për shpërndarjen e informacionit, por bashkë me informacionin si koncept po shpërndarjmë edhe një formë materiale konkrete. Atomet mbi të cilat jemi ndërtuar ne, nuk janë më shumicë. Sot shumicë janë pjesëzat digjitale, që tashmë sipas disa studiuesve përfaqësojnë një gjendje të pestë të materies (pas gjendjes së ngurtë, lëngët, të gaztë dhe plazmës).

Aktualisht prodhojmë 10.000.000.000.000.000.000.000 (10 me 21 zero nga pas) bit çdo vit. Nëse hamendësojme një rritje me 20 për qind në vit, pas 3 shekujsh, bitët e prodhuara do të tejkalojnë edhe numrin e atomeve prej të cilëve përbëhet vetë Toka. Kjo do të thotë se për t’i mbajtur ata me energji, vetëm Toka nuk do të mjaftojë më, pasi vetë bitët do të kërkonin të gjithë energjinë aktuale që konsumohet sot në planetin tonë.

Me këto ritme, sipas përllogaritjeve të shkencëtarëve, në vitin 2030, 51 për qind e energjisë së përgjithshme në Tokë do të konsumohet nga bitët. Në 2070 gjithsecili nga ne do të ketë 1 kilogram bit nga përdorimi i telefonave, kompjuterave apo tabletëve personalë, që do të ruhet në serverat e kompanive.

Parashikimet bëhen më të zymta nëse merret si shifër rritja vjetore e prodhimit të bitëve në 50 për qind, një shifër edhe kjo realiste, po të kihet parasysh rritja e popullsisë, rritja e mirëqënies dhe rritja e aksesit tek teknologjia dhe interneti, pas 150 vitesh do të arrijmë në pikën “e ngopjes”, që do të thotë se më shumë se një planet, Toka do të ngjasojë me një procesor gjigant, që përcjell e përpunon informacion.

Melvin Vopson nga Shkolla e Matematikës dhe Fizikës në Universitetin e Portsmuthit në SHBA paralajmëron se jemi përballë një katastrofe të informacionit, që nëse i shtohet asaj klimatike, energjitike dhe demografike mund të çojë në fundin e jetës në Tokë, të paktën në formën që e njohim aktualisht.

Teoria që bit-et kompjuterike që përmbajnë dhe transmetojnë informacionin kanë një masë u hodh së pari nga fizikanti gjerman, Rolf Laundauer, që punoi edhe për kompaninë e prodhimit të kompjuterave, IBM. Ai deklaronte se shkatërrimi i një bit-i prodhonte një sasi të vogël energjia dhe ishte fizikisht i pakthyeshëm si proces. Për këtë arsye, ai deklaronte se informacioni kishte një masë fizike.

Kjo do të thotë se informacioni nuk është një koncept abstrakt, por është diçka konkrete dhe fizike, e që mund të konsiderohet si gjendja e pestë e materies, përveç gjendjes së ngurtë, gaztë, të lëngët dhe plazmës.

Për këtë arsye, prodhimi dhe rritja e sasisë së informacionit me ritmet aktuale do të bënte që pas 5 shekujsh, materia digjitale të përbëjë më shumë se gjysmën e planetit tonë, ose e thënë më saktë, Toka të jetë shndërruar në një procesor kompjuterik gjigant.

Këto pretendime konsiderohen ende si hipotezë, por po të kihet parasysh se një bit është 25 herë më i madh në masë se një atom, atëherë gjërat ndryshojnë. Ndryshimi tjetër është se atomet janë prodhime të natyrës, ndërsa bit-et janë produkt i njeriut.

Duke patur parasysh këtë, Malvin Vopson thotë se pas 3 shekujsh vija ndarëse mes materies fizike dhe realitetit virtuale mund të jetë shkrirë. Pra, 300 vite nga tani, nuk do të jetë as e çuditshme dhe as e pamundur që njerëzit të lëvizin vazhdimisht me një çip të ngarkuar në trupin e tyre, që do të regjistrojë dhe ruajë gjithçka nga jeta e përditshme e tyre.

Por, kjo do të shkaktonte një katastrofë energjitike. Për ta shmangur këtë, Vopson propozon që të gjendet mënyra të tjera më ekonomike dhe që zënë më pak hapësirë për ruajtjen dhe përcjelljen e informacionit. Mes këtyre mënyrave është përdorimi i fotoneve, ndërsa idealja, sipas matematikanit të Portsmuth mbetet ruajtja e informacionit nga ADN dhe përcjellja e tij nga ARN.

Jo më kot një sërë studiuesish janë përqëndruar tek gjetja e mundëdsisë për të përdorur molekulat e ADN-së njerëzore si magazinë për të ruajtur informacionin. I pari që e bëri ishte shkencëtari sovjetik Mijhail Neiman, që ruajti në një molekulë të tillë një programim HTML në vitin 1964.

Pse synohet kjo metodë. Është e thjeshtë: vetëm një gram ADN mund të ruajë 215 milionë GB informacion dhe ndryshe nga disqet dhe USB-të, zgjat me mijëra vite.

Burimi: Bussines Insider. Përshtati në shqip: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë