Ushqim

‘Toka Cafe & Grill’, një shije shqiptare në Arizona

Nga Gazeta Si - "Toka Cafe & Grill”, që ndodhet në Arizona, SHBA është një restorant në pronësi të një familjeje shqiptare që u hap në fillim të gushtit dhe shërben ushqime tradicionale shqiptare dhe ballkanike,

Në një artikull të botuar në revistën “Scottsdale”, flasin dy pronarët shqiptarë.

“Në fakt ka qenë mjaft i suksesshëm”, thotë Milot Bejta, pronar i “Toka Cafe & Grill”.

Bejta dhe bashkëshortja e tij Besa Thaqi, e cila gjithashtu është pronare, nuk kishin përvojë në biznesin e restoranteve para se të hapnin “Toka Cafe & Grill”.

Bejta ka qenë bankar për 12 vitet e fundit, ndërsa Thaqi punonte në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Besa Thaqi është pronare e Toka Cafe & Grill sëbashku me bashkëshortin e saj, Milot Bejta.

“Ne e hapëm restorantin nga pasioni për të gatuar”, thotë Bejta.

Bejta dhe Thaqi morën me qira një restorant ekzistues dhe mendimi i tyre i parë ishte të kishin një menu të kombinuar.

Menuja e restorantit është e ndarë në dy pjesë. Ana e majtë përbëhet nga artikuj mëngjesi dhe sanduiçe, ndërsa ana e djathtë ofron ushqime tradicionale shqiptare dhe ballkanike.

“Gatimet tradicionale janë më të pëlqyerat, si shumëllojshmëria e byrekëve apo qebap me sallam”, thotë Bejta/

Sipas Milot Bejtës, “qoftet” janë një nga artikujt më të kërkuar në menu.

Ai theksoi se sanduiçi “Toka” dhe djathi i pjekur në skarë me tartuf porositen gjithashtu shpesh.

Sipas Milot Bejtës, qoftet e viçit, pjekur në skarë janë një nga artikujt më të njohur në menu.

“Kur filluam biznesin, menduam se do të kishim një publik të gjerë, që i përket zonës këtu pranë. Por ne kemi edhe shumë klientë që vijnë për shkak të gatimeve tradicionale nga zona e Ballkanit”, tha Bejta, duke treguar se kryesisht, pjesa më e madhe e klientëve janë shqiptarë, sepse e dinë se dhe dhe çifti është shqiptar por edhe sepse servirin produkte speciale bazuar në kulturën shqiptare.

Bejta theksoi se 80% ose më shumë e artikujve ushqimorë që ofron restoranti bëhen në shtëpi.

Sipas Thaqit, kur iu dha mundësia për të marrë hapësirën ku ndodhet “Toka”, ata ishin të përgatitur për të ofruar një përvojë të shkëlqyer për klientin.

“Gjithashtu, ne bëjmë ushqime të shkëlqyera, të cilat i gatuajmë në shtëpi dhe na pëlqen të mblidhemi me familjen dhe miqtë rreth tavolinës, sepse aty njerëzit bashkohen dhe ndodh i gjithë argëtimi”, thotë Thaqi.

Kjo ishte një ide e tyre për t’i dhënë një shans komunitetit që të mblidhen dhe të shijojnë një vakt të mirë, që u kujton gatimin e mirë të bërë në shtëpi.

Shpresa e Thaqit për të ardhmen është që të ofrojë vazhdimisht shërbime dhe kuzhinë të shkëlqyer, si dhe të rritet ndoshta në aspektin e biznesit.

Ajo dhe bashkëshorti i saj do të donin të hapnin një tjetër restorant “Toka Cafe & Grill” ose diçka të ngjashme në zona të tjera të Arizonës, veçanërisht pasi shumë nga klientët e tyre aktualë udhëtojnë nga vende si Gilbert, Chandler dhe Surprise.

Toka Cafe & Grill shërben edhe byrek me spinaq.

“Ne duam t’u mësojmë komuniteteve të tjera dhe kombësive të tjera për ushqimin tonë, veçanërisht ushqimin shqiptar, për të cilin ata nuk dinë shumë”, tha Thaqi.

“Ne do të donim që ata të vinin dhe thjesht ta provonin. … Ne thjesht mendojmë se është ushqimi që ne e duam dhe dëshirojmë ta ndajmë me të tjerët. Shpresojmë që atyre t’u pëlqejë ose ta duan po aq sa ne”, përfundon ajo.

Burimi: Scottsdale. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë