Gazeta Si – “Çmimi i Madh i Singaporit në 2008-ën u dëmtua nga një mashtrim, që u provua pas një viti. Rregullorja e FIA-s ka qenë gjithmonë që rezultatet duhet të ratifikohen brenda 31 dhjetorit dhe se nuk ka më kthim prapa.
Për rastin e Singaporit faktet u zbuluan një vit më pas dhe sanksionet e FIA-s para se të shkoja unë u anuluan nga Gjykata e Parisit. Bëhet fjalë për një rast të veçantë”, – ka rrëfyer në një bisedë për “L’Equipe” ish-presidenti i FIA-s, Zhan Todt. Ai ka folur për tema të ndryshme, edhe për konfliktin aktual mes FIA-s dhe Toto Volf.

Vëmendje ka marrë më së shumti i ashtuquajturi ‘Crashgate’ i Çmimit të Madh të Singaporit në 2008-ën, i shenjuar nga incidenti fals i Nelson Piquet Jr., që lejoi shokun e skuadrës te Reno, Fernando Alonso, të shkonte në krye të klasifikimit dhe të fitonte.
Një mashtrim ai i Marina Bay, që i kushtoi shtrenjtë Felipe Masës, pasi humbi titullin kampion bote ndaj Ljuis Hemilton. Vitet e fundit ish-piloti brazilian i Ferrarit ka provuar me të gjitha mënyrat të fitojë të drejtën e tij për atë sezon të shumë diskutuar.
“Sipas Berni Ekleston, paraardhësi im, Maks Mosli dhe drejtori Çarli Uiting ishin në dijeni të fakteve që në fillim. Kur isha president i FIA-s, u informova. Të zbulosh se federata e dinte të vërtetën para të famshmit 31 dhjetor, mund të ndryshonin vërtet gjërat. Për fat të keq, Çarli dhe Maks kanë vdekur. Duhej anuluar ajo garë. Fakti i ri është se organizmi që homologoi klasifikimin zyrtar të kampionatit e dinte atë që kishte ndodhur”, – ka shtuar Todt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.