Lajme

TKOB: Një rivënie, tri Carmen dhe bashkëpunimi shqiptaro-serb

Tri Carmen të magjishme për publikun e Tiranës! Kështu i prezanton Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit tri mexosopranot që për katër net do të interpretojnë ciganen joshëse, e cila ka lindur e lirë dhe do të vdesë e lirë, në operan e famshme me katër akte të Bizet.Vikena Kamenica  do të veshë rolin e Carmen-it, të cilin për herë të parë e interpretoi 11 vjet  të shkuar,  mbrëmjen e 27 shtatorit, ndërsa Don Jose-ja i saj do të jetë tenori serb Janko Sinadinović. Është hera e tretë që këngëtarja e njohur lirike, interpreton këtë rol, ndërsa një natë më vonë në skenë do të ngjitet  kolegia nga Teatri Kombëtar i Operës së  Beogradit, Ljubica Vranes, e cila për herë të parë do interpretojë për publikun shqiptar, pas suksesit në vendin e saj me këtë rol. Ndërsa në netët në vijim joshja e ciganes që punon në fabrikën e cigareve e që këndon “Habanera” i është besuar mexosopranos Ivana Hoxha, e cila e  interpretoi Carmen-in për herë të parë vitin e kaluar, duke përmbushur  kështu një prej ëndrrave të saj, një ëndërr të cilën e ndan me të gjitha mexosopranot.

Mexosopranoja Ljubica Vranes,

Kjo opera, e cila e çel  sezonin e ri artistik me një rivënie në skenë dhe jo me një premierë, konkretizon protokollin e bashkëpunimit mes TKOB-it dhe Teatrit Kombëtar të Beogradit, ku “Carmen” është e para në kalendarin e përbashkët artistik që do të vijojë përgjatë të gjithë sezonit artistik. “Zgjodhëm për të  filluar bashkëpunimin midis Operas së  Shqipërisë dhe Teatrit të Operas së Serbisë, me “Carmen” të Bizet, sepse është vepra operistike më  e prodhuar në  botë, që do të më  e pëlqyera”, ka thënë drejtoresha e TKOB-it, Zana Çela, ndërsa në një postim ka sqaruar arsyet pse është zgjedhur pikërisht kjo vepër për të çelur sezonin  e ri.Bileta për të gjithë ata që janë kureshtarë të ndjekin këtë kombinim shqiptaro –serb të solistëve, kushton 1 mijë lek , ndërsa shfaqja do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Mexosopranosja Ivana Hoxha

Orkestra e TKOB kësaj here do të dirigjohet nga serbi Dejan Savić, i cili është njëherazi edhe Drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit të Beogradit dhe një prej dirigjentëve kryesorë të këtij institucioni prej vitit 1993. Gjatë karrierës së tij ka dirigjuar vepra të njohura nga Mozart, Bizet, Sen Saëns, Wagner, Verdi, Rosini, Belini, Puccini dhe autorë të tjerë.“Në dhjetor vjen një kuartet  solistik për operën “Carmen”, pastaj do të vijojmë me “Traviata” dhe kemi gjithashtu plane për baletin”, ka zbuluar hollësi nga kalendari i përbashkët drejtori  Savić, ndërsa ka thënë që jo vetëm do të sjellin solistë nga Beogradi, por edhe do të marrin nga trupa shqiptare, për të shkëmbyer përvojat mes dy vendeve. Savić theksoi se ky bashkëpunim është shembulli se si duhet të veprojnë edhe institucionet e tjera, ekonomike, sociale e më gjerë.

“Jam e bindur se të gjithë solistët kanë krijuar figura shumë të fora, karakteristike, sepse Carmen nuk ka vetëm një mënyrë interpretimi, secili solist sjell në këtë vepër përvojën e tij, frymëzimin që merr nga shoqëria ku  jeton.”, ka qenë e mendimit Zana Çela, duke shtuar se “Carmen” jehon me audiencat e sotme, sepse shoqëria jonë  është plot me histori të  njerëzve të thjeshtë, “të cilëve u është lënë të kuptojnë se me të gjithë përpjekjet e shumta, nuk mund të bëhen pjesë e shoqërisë së lartë, për shkak të racës, gjinisë,  besimit, moshës apo çdo lloj kufizimi tjetër që njerëzit vendosin ndaj njëri-tjetrit”, thotë Çela duke veçuar pozicionin e grave në këtë lloj shoqërie diskriminuese. “Gratë janë aty, përballë seksizmit mashkullor, që nga  Hollivudi, ku aktoret luftojnë për karrierat e tyre dhe deri tek korporatat apo institucione te tjera, ku për të  ecur përpara, u   duhet të thyejnë barrierën e “tavanit të  qelqtë””, ka vijuar drejtoresha e TKOB, duke përdorur kështu një metaforë të Wall Street-it, të pesëdhjetë viteve të shkuar.

Mexosopranoja Vikena Kamenica në rolin e Carmen-it. 

Me alegorinë e saj, historia e Carmen-it, i përfshin të gjitha ato histori për ndryshimin e statusit në shoqëri. Subjekti sillet rreth  viteve 1820, në Sevilje të Spanjës, cigania joshëse, Carmen, punon në një fabrikë cigaresh. Ka plot burra e gra. Ajo këndon “Habanera”-n dhe i magjeps burrat e rinj, atje. Por vetëm një ushtar i rojës, Don Jose-ja nuk interesohet për të. Carmen,  në mënyrë provokuese i hedh një lule dhe largohet. Vajzat që kthehen në fabrikë shkaktojnë një zënkë dhe për këtë fajësohet Carmen, e cila arrestohet. Megjithatë, Carmen josh rojën Jose dhe arratiset. Një muaj më pas, Jose-ja,  i cili është burgosur që e la Carmen-in të ikte, sapo është liruar dhe shkon ta takojë në një  tavernë. Me atë lule në duar, i rrëfen ndjenjat. Carmen i kërkon Jose-së të mos e raportojë, por të rrijë me të. Jose merakoset. Ai nuk mundet t’u bashkohet endacakëve. Anëtarët e grupit të Carmen-it, janë kontrabandistë. Jose-ja më pas pendohet për zgjedhjen. Carmen tashmë është dashuruar me një burrë tjetër, Escamillo-n, një toreador. Ajo e njofton atë se  e ëma është shumë e sëmurë dhe  Jose-ja vendos të shkojë në shtëpi.

Trupa shqiptare dhe ajo serbe pas konferencës për shtyp mbi operan "Carmen". 

Muajin tjetër, në një shesh përballë arenës së ndeshjes me dema, Escamillo i dashuri i Carmen-it, mirëpritet nga spektatorët. Ai hyn në arenë, Carmen mbetet në shesh, ku më pas shfaqet Jose-ja. Ai kërkon që ajo të ikë me të, por ajo refuzon. Në shenjë refuzimi ndaj këmbënguljes së tij, Carmen e flak tutje unazën që Jose-ja i kishte dhuruar dikur. Jose-ja e qëllon për vdekje me një kamë dhe, më pas shtanget për veprimet e tij. Ndërsa Escamillo-n e brohoret turma, Carmen vdes. Jose-ja gjunjëzohet dhe këndon: “Ah! Carmen! ma Carmen adorée!”, ndërsa turma del nga arena, Jose-ja rrëfen se ka vrarë gruan që dashuronte. 

“Bizet ishte ndoshta shumë  më  i avancuar se koha, në të  cilën jetoi për të  shkruar një histori rreth një gruaje e cila qëndronte në rrethin e jashtëm të shoqërisë së asaj kohe. Kjo u kuptua më mirë prej viteve ’50 të shekullit të XX e deri më sot, kur Carmen nisi të përshtatet gjithnjë e më shumë ndaj audiencës moderne”, përfundon Çela. Kur u shfaq për  herë  të  parë në Paris, më 1875-ën, shoqëria e lartë parisiene e fërshëlleu veprën e skandalizuar, ku ngjarjet e një opere zbritën nga rrethet e shoqërisë së lartë në mjediset e punëtorëve të fabrikës së cigareve dhe heroina gjendej pikërisht mes tyre. Megjithë kundërshtinë e shtresave të kamura të Parisit, fama e operas i kaloi kufijtë francezë duke u bërë një nga më të famshmet në të gjithë botën.Në këtë rivënie, ka bërë të ditur TKOB, se publiku do të përfshihet edhe më shumë me emocionet e operas “Carmen” , pasi për herë të parë libreti i operas shkruar nga Henri Meilhac  dhe Ludovic Halévy, me çdo frazë e fjalë do të vijë i titruar në gjuhën shqipe në ekranet e mëdha LED, në të dy anët e skenës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë