Futboll

Tjetër reagim i FSHF-së për Përmbarimin: Çështjen e ka me Tiranën, jo me ne

Në Federatën Shqiptare të Futbollit duken jo pak të shqetësuar pas akuzave të ngritura së fundi në shtyp (Panorama Sport) se këtij intitucioni i janë bllokuar llogaritë bankare nga Përmbarimi dhe se ka bërë transaksione të dyshimta të të ardhurave nga Kupat e Europës për klubin e Tiranës.

Për të dytën herë brenda pak ditësh FSHF-ja ka dalë me një reagim zyrtar, me anë të të cilit kërkon të sqarojë opinionin publik për këtë çështje. Së pari se nuk ka llogari të bllokuara dhe së dyti se Përmbarimi e ka çështjen me klubin e Tiranës, - pas gjyqit të fituar nga familja e ish-presidentit Metush Seferi, - dhe jo me FSHF-në.

Logoja e FSHF-se. Gazeta Si, 26 nentor 2021

“FSHF e ndjen për detyrë të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik për atë që është trajtuar si skandal, me llogari të bllokuara dhe veprimtari anti-ligjore nëpërmjet transaksioneve në llogari të dyshimta.
Pretendimet e ngritura nga Panorama Sport dhe “opinionistë” lidhen me një detyrim që klubi Tirana ka ndaj ish-sponsorit të saj në vitet ‘90, të ndjerit Metush Seferi. Familja Seferi ka fituar gjyqin me Tiranën dhe për këtë detyrim ka angazhuar një zyrë përmbarimore për vjeljen e detyrimit.

Zyra përmbarimore kërkon ta realizojë vjeljen përmes bllokimit të të ardhurave që klubi Tirana siguron nga kampionati shqiptar dhe kupat e Europës. Klubi Tirana e ka pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi me një tjetër vendim gjykate. Pra, është një konflikt mes klubit Tirana dhe ish-presidentit Metush Seferi. Në asnjë moment nuk ka pasur bllokim të llogarive të FSHF-së nga të ardhurat që vijnë nga UEFA për pjesëmarrjen e klubeve shqiptare në kompeticionet europiane.

Mediat e interesuara dhe “opinionistët” mund t’i drejtohen Union Bank për të marrë informacionin e saktë në lidhje me këtë pretendim.

Për akuzën e rëndë se të ardhurat që Tirana ka siguruar nga pjesëmarrja në Kupat e Europës janë kaluar nëpër llogari të ndryshme nga llogaria e klubit, duhet të bëjmë përsëri me dije se të gjitha të ardhurat e UEFA-s kanë kaluar në llogaritë e klubit të Tiranës. Nëse përmbaruesi nuk i ka marrë dot nga bankat, ky është problem i tij.

Dhe vlen për t’u theksuar se i gjithë ky proces ekzekutimi është i jashtëligjshëm, pasi po përpiqet të ekzekutohet një vendim për një shoqëri që tashmë ka mbetur pa administrator dhe në kundërshtim me ligjin po vazhdon të ekzekutohet”, - shkruhet në reagimin e sotëm të FSHF-së.

Logoja e klubit te Tiranes. Gazeta Si, 26 nentor 2021

Borxhi i madh i Tiranës ndaj ish-presidentit
Dihet publikisht tashmë se Tirana ka pasur probleme të mëdha me borxhet e prapambetura, si edhe shumë klube të tjera në vend. Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një borxh prej rreth 60 milionë lekësh ndaj ish-presidentit të ndjerë Metush Seferi. Familja e tij e ka fituar gjyqin me klubin e Tiranës në të gjitha shkallët dhe nuk po arrin të shlyhet me këtë shumë, ndaj dhe ka angazhuar një zyrë përmbarimore.

Tirana edhe më parë i ka pasur llogaritë e bllokuara, pasi ka pasur borxhe ndaj ish-lojtarëve, por jo në shuma të tilla. Nëse vërtet ka ndodhur që FSHF-ja, - që xhiron shpërblimet që jep UEFA për klubet që marrin pjesë në Kupat e Europës, - t’ia ketë kaluar Tiranës të ardhurat nga UEFA në llogari të tjera, atëherë kemi të bëjmë me një skandal të përmasave të mëdha, sepse është favorizim i hapur dhe kompromentim i garës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë