Futboll

Titulli kampion vendoset javën e fundit, por tashmë e ka në dorë Partizani

Gazeta Si – Një fund kampionati i mbushur me emocione dhe dramacitet. Titulli kampion do të vendoset javën e fundit, por barazimi i sotëm i Tiranës, 2-2 me Bylisin, bën që gjithçka të jetë në dorë të Partizanit. Mjafton që të kuqtë të mundin Teutën në javën e fundit dhe shpallen kampionë të Shqipërisë.

Partizani mundi sot 1-4 Kastriotin. U gjend në vështirësi, pasi pësoi gol në fillim të ndeshjes, kur krutanët shënuan me Grecën. Megjithatë, skuadra e kuqe përmbysi shpejt gjithçka me të zakonshmit Rrapaj dhe Viktor da Silva. Braziliani shënoi edhe një gol në pjesën e dytë, ndërsa para tij Murataj kishte trefishuar shifrat, kurse Sotës iu anulua një gol.

Në javën e fundit Partizani ndeshet me Teutën, që ka pretendime për Europën. Do të jetë një sfidë e fortë, por kuptohet që më të motivuar janë kryeqytetasit, tashmë me njërën dorë te titulli.

Lojtaret e Tiranes protestojne per penalltine e dhene nga Meta. gazeta Si, 25 maj 2023

Tirana pothuajse ka hedhur poshtë punën e gjithë sezonit me barazimin e sotëm në Rrogozhinë ndaj Bylisit. Dy pikët e lëna kanë kosto të lartë për kampionët në fuqi. Hila e kaloi Tiranën dy herë në avantazh, por në të dy rastet Bylisi barazoi. Në rastin e dytë mes shumë polemikash për një penallti të dhënë kundër Tiranës, që protestoi e gjitha në fushë.

Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Laçit dhe rrezikon shumë të mbetet jashtë Europës, pasi mban vendin e 5-të dhe javën e fundit luan me Bylisin në Ballsh. Teuta mundi 1-0 Egnatian, që tashmë e ka siguruar Europën dhe mendon për finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës.

Kukësi do të qëndrojë edhe disa ditë me ankthin e mbijetesës, sepse sot nuk mundi të fitonte ndaj Erzenit. Gjelbërim Taipi humbi një penallti në këtë ndeshje.

Renditja e Superiores pas javes se parafundit. Gazeta Si, 25 maj 2023

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë