Lajme

Titujt e Pronësisë, Rama: Si do të shmangen gjykatat

Shkrirja e dy institucioneve të Agjencisë së Legalizimit dhe të Hipotekën, duke krijuar një Agjenci të vetme të re për Titujt e Pronësisë do të sjellë një mënyrë re të shqyrtimit të kërkesave të qytetarëve në lidhje me procesin e hipotekimit të pasurive të paluajtshme. Kryeministri Edi Rama në takimin e përjavshëm në kuadër të prezantimit të rasteve të zgjedhura nga ankesat e paraqitura në Platformën e Bashkëqeverisjes ka zbuluar mënyrën se si do të funksionojë kjo Agjencie e re. Prej muajsh po diskutohet për një draft mënyrën se si do të realizohet një shkrirje e tillë, ndërsa kryeministri Edi Rama zbuloi edhe risitë e kësaj Agjencie.

Përveç shkrirjes në një institucion të vetëm, kjo Agjenci do të ketë edhe një strukturë të posaçme për trajtimin e ankesave, duke shmangur kështu përplasjet nëpër gjykata, zvarritjet pa fund të qytetarëve.

“Kjo reformë do të mundësojë edhe krijimin e një strukture brenda Agjencisë së re të Titujve të Pronësisë, që do të jetë strukturë paragjyqësore, që do të trajtojë konfliktet mes qytetarëve dhe institucionit, në rast se qytetarët nuk janë të kënaqur nga përgjigja, kjo pa shkuar në gjyq”, deklaroi Rama, duke shpjeguar se kjo është një nga synimet e reformës së pronësisë, e proklamuar prej muajsh nga ana e Qeverisë.

Në gjykatat shqiptare shumë çështje kanë të bëjnë me ankesat e qytetarëve për titujt e pronësisë, të cilët kontestojnë vendimet e dhëna nga ana e institucioneve shtetërore. Në jo pak raste vendimet e Gjykatave shqiptare më pas janë dërguar në Gjykatën e Strasburgut.

Vendimet e dhëna nga gjykata e Europiane e të Drejtave të Njeriut kanë pasur një kosto jo të vogël për buxhetin e shtetit shqiptar.

Duke folur për këtë projekt të Qeverisë, Rama i bëri të ditur se “këto ditë ministrja e Drejtësisë do të hapë konsultimet për projektin që do të bashkojë ALUIZNI-n dhe Hipotekën, do të hapë rrugën e një transformimi të një sistemi digjital të të gjithë të dhënave. Me këtë reformën synojnë t’i japim zgjidhje edhe disa çështjeve që nuk kanë marrë udhë prej vitesh, ndër të cilat është problemi i disa komuniteteve, në veri të vendit në veçanti, por edhe në një zonë të jugut, të cilët e kanë refuzuar zbatimin e ligjit 7501  “Për Tokën”, si rezultat i paqes së vendosur mes tyre për tokat e të parëve. Këto komunitete e kanë të pamundur që të kenë akses në financime të çfarëdo natyre nga bankat apo nga fondet mbështetëse, vendase apo evropiane, për shkak se janë në tokat e të parëve, por nuk i ekziston asnjë letër. Gjithashtu synojmë të zgjidhim edhe problematikat e disa komuniteteve të tjera, që toka djerrë, kodra djerrë në të shkuarën i kanë mbjellë ilegalisht, por nuk marrin asnjë mbështetje për shkak se nuk kanë letra”.

Nga reforma e pronësisë e shpallur nga qeveria pritet të mbesë jashtë Agjencia e Trajtimit të Pronave. Ndërsa pritet që të përcaktohen afatet për shkrirjen e këtij institucioni, ku sipas të gjitha gjasave, ky institucion i ri do të parashikohet si pjesë e buxhetit të ri të shtetit.

Në takimin për prezantimin e sukseseve të platformës, një zonjë e pranishme, e cila tha se ishte mësuese, tregoi se si denoncoi te “Portali i Bashkëqeverisjes” drejtorin e shkollës i cili bënte korrupsion duke abuzuar me detyrën, e më pas ai u shkarkua. “Jam shumë e lumtur që u mor masa”, tha mësuesja. Pas saj, fjalën e mori kreu i qeverisë, i cili apeloi që edhe mësuesit e tjerë të ndiqnin hapat e zonjës.

“Nëse dikush do bënte atë që ka bërë mësuesja do të shpëtonim nga një drejtues i padenjë që s’është i vetmi. Kemi drejtues shkollash që janë të padenje dhe mund ti identifikojmë së bashku”, tha ai.

“Është shumë e vështirë që ata ti zbulojë një grup kontrolli”, tha Rama, duke lënë të kuptohet se rruga më e lehtë për të zgjidhur çështjen është denoncimi përmes portalit “Shqipëriaqeduam.al”.

Në këto takime Rama ka nisur të lançojë edhe sloganin e ri të PS-së,  “E gjithë vëmendja për Ju”. Ai u shpreh se “ai nuk është një slogan, po fryma dhe gërma e punës së përditshme të Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al. Mjafton një klik tek shqiperiaqeduam.al dhe një mesazh i shkurtër nga Ju, që e gjithë vëmendja e qeverisë të jetë për Ju dhe hallin a problemin Tuaj”, theksoi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë