Futboll

Tiranës i duhen 100 minuta të mundë Kastriotin, përleshje dhe kartonë të kuq

Gazeta Si – Tirana ishte duke humbur 2 pikë të rëndësishme ndaj Kastriotit të vendit të fundit, por në minutën e 100-të të ndeshjes ka ardhur goli që ka çliruar kampionët në fuqi dhe që i ka shkëputur sërish 3 pikë nga Partizani. I riu Nikqi realizoi golin e fitores.

Ishte një ndeshje, që Tirana pritej ta zgjidhte më lehtë. Dhe mundësitë i kishte, pasi fitoi një penallti me VAR në pjesën e parë, por Florent Hasani gaboi përballë portierit Sali.

Gjatë lojës pati jo pak tension. Nuk munguan edhe përplasjet fizike mes lojtarëve në fushë. Të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga 10 lojtarë, sepse Çela i Kastritoit dhe Aleksi i Tiranës u ndëshkuan me karton të kuq për shkak të reagimeve të tyre josportive.

Në fundin e shtesës Nikqi gjeti goditjen fitimtare me kokë, duke e çuar topin në rrjetën e portës së Kastriotit, që mbetet në vend të fundit. Tirana ngjitet në kuotën e 40 pikëve.

Ndeshja tjetër e luajtur sot në Rrogozhinë, mes Egnatias dhe Vllaznisë, u mbyll në barazim pa gola. Një rezultat që lë më të pakënaqur shkodranët pretendentë për titull.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë