Lajme

Tiranë-Shkup, marrëveshje konkrete për lehtësimin e tregtisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, diskutoi me homologët Ministren e Financave, Nina Angelovska, dhe Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, krijimin e një kuadri të bashkëpunimi për lehtësimin e tregtisë dhe luftës kundër informalitetit.

“Në mënyrë që grupet tona teknike të bashkërendojnë në mënyrë permanente në fushën e politikave fiskale, por edhe të administrimit fiskal. Jemi duke bashkërenduar veprimtaritë tona të këmbimit të eksperiencave në aspekt të luftës kundër informalitetit dhe të nxitjes në mënyrë të vullnetshme të pagimit të taksapaguesve”- sqaroi ministrja Denaj.

Të dy vendet zbatojnë marrëveshjet e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin, prej 20 vitesh, dhe janë bashkërisht të angazhuar në incentivat e OECD-së për taksimin ndërkombëtar dhe erozionin e bazës së tatueshme (BEPS).

Takimi konsistoi në shkëmbimin e eksperiencave të dy vende në luftën ndaj evazionit fiskal dhe punës në të zezë, e cila do të formalizohet në nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi mes administratave fiskale respektive brenda muajit shkurt.

Gjatë takimit të zhvilluar me Ministrin Bekteshi, diskutimet u përqendruan në politikat zhvilluese ekonomike, sidomos ato të zonave të lira ekonomike, ku Maqedonia e Veriut ka një eksperiencë të mirë, por edhe mbi mundësinë e krijimit të lehtësive mes bizneseve të dy vendeve. Gjithashtu, u diskutua për përfundimin e negociatave për pikën e përbashkët kufitare në Qafë Thanë, duke synuar krijimin e një “one stop shop” për të gjithë shërbimet.
Aktualisht ka filluar implementimi i projektit të rëndësishëm me Bankën Botërore “Western Balkans Trade and Transport Facilitation Project”, ku një komponent i rëndësishëm, me një fond prej 2,000,000 USD, do të konsistojë në përmirësimin infrastrukturor, shkëmbimin elektronik të të dhënave, duke siguruar lehtësimin e tregtisë mes vendeve tona që pa dyshim do të nxisë rritjen e bashkëpunimit tregtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë