Ne rrjet

Tiranë-Athinë, negociata 1 deri 2 vjeçare para se të çojnë “detin” në Hagë

Lajmi se Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord të hartojnë një deklaratë të përbashkët për ta çuar çështjen e demarkacionit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është duke u cilësuar si një fitore e madhe diplomatike për Athinën nga mediat greke.

Katër muaj pas caktimit të zonave detare me Italinë dhe rreth 60 ditë pas përfundimit të Zonës Ekonomike Ekskluzive me Egjiptin, Greqia po ndërmerr një mision tjetër për caktimin e zonave detare në rajonin e Korfuzit, duke i bërë presion palës shqiptare sipas Gazetës “Protothema” ta çojë ndarjen e detit në gjykatat ndërkombëtare.

Kjo gazetë zbulon se ashtu si edhe në të kaluarën, qeveria e Qiriako Mitsotaqis i ka rikujtuar vendit tonë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Theksojmë se në prill, kur Këshilli i BE-së dha dritën jëshile për negociatat, vendi i fundit që dha miratimin nuk ishte Franca ose Holanda, por Greqia.

“Ajo që është përdorur si ‘karotë’ në këtë rast është anëtarësimit të Shqipërisë në BE, e cila shihet nga Tirana si "parajsa" që ofron thasë me para dhe për shkak të situatës së ndërlikuar politike në vendin fqinj drejt zgjedhjeve të 25 prillit, diplomacia greke arriti një marrëveshje me qeverinë e Edi Ramës për hartimin e një letre të përbashkët që synon referimin e çështjes së zonave detare në Hagë”, shkruan  “Protothema”. “Çështja ka mbetur në vend për gati njëzet vjet, pasi pavarësisht nga një marrëveshje e arritur nën qeverinë e Karamanlis, pala shqiptare tërhoqi pëlqimin e saj për planin për të përcaktuar zonat detare. Marrëveshja u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese shqiptare pas një apeli nga opozita shqiptare e udhëhequr atë kohë nga kryeministri Edi Rama.”

Gazeta theksoi se disa vjet më vonë, ai është i njëjti person që kërkon një marrëveshje me Athinën për caktimit të kufijve të zonave detare në kufirin veriperëndimor të Greqisë.

Të martën, gjatë një takimi me Nikos Dendias në Tiranë, Edi Rama e përshkroi Greqinë si një "partner strategjik" dhe një "fqinj të vlefshëm" dhe njoftoi madje edhe mbajtjen e një mbledhje të përbashket mes qeverive të dy vendeve.

Edi Rama dhe Niko Dendias, Gazea Si, 2020

"Ne diskutuam çështjen e përcaktimit të zonave detare midis Greqisë dhe Shqipërisë", tha Nikos Dendias gjatë konferencës me Ramën: "Zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje do të jetë e dobishme për të dy vendet tona dhe, natyrisht, unë bisedova me Ramën se kjo zgjidhje do të bazohet në Konventën e OKB për Ligjin e Detit, e cila është nënshkruar nga të dyja palët".

“Protothema” thekson po ashtu se Dendias erdhi në Tiranë edhe më një mision anti-turk, për shkak të shqetësimeve se Ankaraja mund të ndërhyjë në negociatat mes dy vendeve. Kjo, sipas një sërë portalesh greke, është edhe arsyeja përse Greqia ka bërë presion që kjo cëshjte të cohet në Hagë.

“Nga Tirana, kryeqyteti i një vendi me të cilin Turqia ka ndërtuar lidhje të ngushta, duke përdorur ndonjëherë përkeqësimin artificial të marrëdhënieve greko-shqiptare si një mjet për të arritur aspiratat e veta, pala greke dërgoi një mesazh të qartë: mosmarrëveshjet zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit”, shkruan gazeta. “Në këtë mënyrë, Nikos Dendias dhe qeveria Greke dërguan mesazhin se çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen përmes dialogut, mbi bazën e legjitimitetit ndërkombëtar dhe jo përmes përpjekjeve të njëanshme për të uzurpuar të drejtat sovrane të vendeve të tjera, siç bën Turqia në mënyrë sistematike në Mesdheun Lindor dhe Egje, duke u përpjekur të lëvizë në dëm të Greqisë.”

Ndryshe nga  “Protothema”, media të tjera greke, si “Ta Nea” apo “To Bima”, hedhin dritë dhe për mënyrën se si palët do t’i drejtohen Hagës.

“Sipas informacioneve, përpara se t’i drejtohen Gjykatës së Hagës, Shqipëria dhe Greqia do të zhvillojnë bisedime dypalëshe brenda një periudhe të logjikshme kohore, përshembull një ose dy vjeçare.

Nëse gjatë kësaj periudhe, nuk arrihet një marrëveshje e pranuar nga Tirana dhe Athina, qeveria greke dhe qeveria shqiptare do të vendosin bashkërisht që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare.

Edhe në këtë rast, pritet që të bihet dakord për një afat kohor, për shembull një vit, për hartimin e një artikulli të përbashkët, i cili do t’u dërgohet anëtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, të cilët do të thirren të vendosin për çështjen e mprehtë të demarkacionit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë”, shkruhet në “To Bima”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë