Futboll

Tirana shpërfytyrohet, Teuta sheh Europën me E.Vilën. Vllaznia bën ‘vetëvrasje’

Gazeta Si – As Tirana dhe as Vllaznia nuk përfituan nga humbja e Partizanit një ditë më parë në Kukës. Si kampionët në fuqi, ashtu edhe shkodranët, janë mundur sot në dy ndeshjet e fundit të javës së 23-të të Superiores, duke e lënë gjithçka si më parë.

Tirana kryesuese ruan avantazhin prej 3 pikësh nga vendi i dytë, por në ‘Air Albania’ ka zhvilluar një ndeshje shumë të dobët. Durrsakët në anën tjetër, pas kësaj fitoreje, shohin shumë afër zonën europiane, nga e cila janë vetëm një fitore larg. Nga skuadër mbijetese deri pak kohë më parë, tashmë ata janë bindshëm në garë për një vend që të çon në Europë.

Teuta feston pas fitores me Tiranen ne 'Air Albania'. Gazeta Si, 25 shkurt 2023

Teuta kaloi në avantazh me një gol të shënuar nga Emiljano Vila që në fillim të ndeshjes. Në fundin e pjesës së parë Gruda fitoi një penallti, pasi u pengua në zonë nga Najdovski, por Kallaku gaboi nga pika e bardhë. Gjuajtja e tij u prit nga portierit Bekaj.

Në pjesën e dytë pritej reagimi i kampionëve në fuqi, veçanërisht pas ndërrimeve të bëra nga trajneri Shehi dhe mbetjes së Teutës me 10 vetë, pas daljes me karton të kuq të Grudës. Ndodhi e kundërta dhe durrsakët shënuan edhe golin e dytë në minutën e 80-të, përsëri me Emiljano Vilën.

Nga ndeshja Vllaznia-Kastrioti, 0-1. Gazeta Si, 25 shkurt 2023

Në ‘Loro Boriçi’ ndodhi një tjetër befasi. Kastrioti i vendit të fundit fitoi 0-1 ndaj Vllaznisë me pretendime të mëdha. Redon Mihana mposhti portierin Zogoviç pas gjysmë ore lojë, duke përfituar nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes shkodrane.

Në pjesën e dytë trajneri Mirel Josa hodhi në fushë më shumë forca sulmuese, në kërkim të paktën të barazimit. Megjithatë, asgjë nuk ndryshoi dhe Vllaznia ka bërë një ‘vetëvrasje’ në fushën e saj, duke humbur 3 pikë, që do ta çonin në vend të 2-të, vetëm 2 pikë larg kreut. Një humbje e pashpjegueshme kjo, që mund të ketë pasoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë